**Ish-ministri Çeku: Gazifikimi i Qymyrit Shumë i Shtrenjtë, Gazi Amerikan Krijon Stabilitet dhe Kushton Më Pak**
Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, ka deklaruar se Kosova po pëson dëme ekonomike nga mungesa e investimeve strategjike në sektorin e energjisë. Në një intervistë për Ekonomia Online, Çeku theksoi se vendi nuk duhet të përjashtojë asnjë projekt që rrit kapacitetet prodhuese, duke argumentuar se gazi amerikan ofron stabilitet dhe kosto më të ulët, në krahasim me gazifikimin e qymyrit, të cilin e quajti një proces të gjatë dhe super të shtrenjtë.
Çeku kritikoi ashpër politizimin e sektorit energjetik, duke theksuar se projektet si gazi amerikan, energjia solare, ajo e erës dhe rehabilitimi i termocentraleve ekzistuese duhet të shihen si plotësuese, jo konkurruese. Ai shtoi se “problemi i energjisë në Kosovë daton që herët dhe fatkeqësisht është politizuar skajshmërisht, kur duhej të ishte jashtë orbitës politike, pasi lidhet me zhvillimin ekonomik dhe interesat strategjike”.
Ai vlerësoi nevojën urgjente të Kosovës për rritje të kapaciteteve prodhuese, duke theksuar se përfshirja në projektet amerikane të gazit natyror të lëngshëm (LNG) do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike dhe energjetike. Sipas Çekut, tregu i energjisë në Ballkan dhe Evropën Juglindore është “i pangopshëm”, duke ofruar mundësi të mëdha për zhvillim.
Gjithashtu, Çeku argumentoi se kyçja në gazin amerikan do të krijonte një stabilitet më të madh energjetik dhe do të ishte më pak e kushtueshme. “Procesi i gazifikimit,” theksoi ai, “është një proces i gjatë dhe super i shtrenjtë, të cilin ne me buxhetin e Kosovës nuk mund ta mbulojmë.” Ai parashikoi se gazi amerikan, me afërsinë e Shkupit, Selanikut dhe Vlorës, mund të ndikojë shumë më shpejt në zhvillimin e sektorit energjetik.
Ndërsa e la gazifikimin si një opsion për të ardhmen, Çeku e konsideroi projektin e gazit amerikan si një zgjidhje më të shpejtë dhe më të leverdishme, duke qenë “ekonomikisht, financiarisht dhe shpejt” i realizueshëm. Ai kritikoi “logjikën e pakuptimtë për t’i shtyrë në ballafaqim projektet me orientime të ndryshme”.
Ish-ministri nuk kurseu kritikat as ndaj qasjes së deritanishme të institucioneve ndaj projekteve energjetike. “Ne kemi paguar dhjetëra, qindra, miliarda euro në blerje të energjisë,” tha ai, duke vlerësuar se “qëndrimi betonizues i qeverisë në raport me projektet e tjera e dëmton të ardhmen ekonomike të Kosovës”. Ai theksoi se Kosova ka nevojë për rreth 2000 megavat kapacitete të brendshme dhe nuk mund të mbështetet vetëm te termocentralet ekzistuese.
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet e gazit të lëngshëm natyror (LNG) amerikan, të cilat synojnë zgjerimin e ndikimit energjetik të SHBA-së në rajon. Qeveria aktuale, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shprehur interesim më të madh për gazifikimin e qymyrit vendas, një qasje që Ambasada Amerikane në Prishtinë e ka sfiduar vazhdimisht, duke bërë thirrje për përfshirjen e Kosovës në projektin e LNG-së amerikane.
Në fillim të qershorit, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, theksoi se Kosova nuk po arrin të përmbushë kërkesat në rritje për energji. Ajo citoi të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave vendi ka shpenzuar 735 milionë euro për import energjie elektrike në katër vitet e fundit, me një rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025. Prattipati paralajmëroi se, me rritjen e çmimeve dhe kërkesave, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga furnizimet fqinje. Ndërkohë, Shqipëria, Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë avancuar me projekte të gazit me kompani amerikane dhe SHBA-në, duke synuar reduktimin e varësisë nga furnizimet ruse.
