Kosova ka kërkuar nga Serbia qasje të plotë në arkivat e saj shtetërore dhe vazhdimin e gërmimeve në vendndodhjet e identifikuara, në përpjekje për të zbardhur fatin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Këto dy kërkesa janë thelbësore, sipas Kushtrim Garës, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Ai theksoi se vendndodhja e Batajnicës mbetet prioritet, pasi ka të dhëna se aty mund të gjenden eshtrat e të paktën 58 viktimave të tjera.
Gara bëri të ditur se, pas shumë përpjekjesh për zbatimin e Deklaratës për Persona të Zhdukur të 2 majit, në fillim të këtij viti, më 22 janar, u mbajt takimi i parë i Komisionit të Përbashkët. Ky takim shërbeu për zyrtarizimin dhe inaugurimin e Komisionit si mekanizëm i parashikuar në deklaratë. Një tjetër takim punues, në nivel zëvendësish, u zhvillua në prill.
Gara theksoi se gjatë këtyre takimeve, si dhe në vazhdimësi në dialogun e Brukselit dhe në kuadër të mekanizmave të tjerë, si grupi rajonal dhe grupi punues (që funksionon nga viti 2004), Kosova ka paraqitur kërkesat e saj në përputhje me angazhimet që rrjedhin nga deklarata e përbashkët.
Ai sqaroi se dy kërkesat thelbësore janë: qasja e plotë në arkivat e institucioneve të Serbisë, veçanërisht në ato të ushtrisë jugosllave. Këtu vihet theksi te kërkesa e kryetarit të delegacionit të Kosovës, z. Hoti, e dërguar më 1 qershor 2023 (rreth një muaj pas miratimit të deklaratës) Presidentit të Serbisë dhe BE-së, për qasje të plotë në arkivin e riklasifikuar të Brigadës së 37-të të Motorizuar. Kjo brigadë ishte përgjegjëse për krime me përmasa gjenocidale të kryera nga Serbia në rajonin e Drenicës në Kosovë, si dhe lidhet me varrezat masive në rajonin e Rashkës në Serbi.
Duke folur për varrezat masive të zbuluara në Serbi, Gara tha se në rajonin e Rashkës janë konfirmuar deri tani dy vendndodhje: gurorja në Rudnicë dhe zona pranë ish-minierës në Kizhevak. Nga gërmimet e kryera ndër vite, aty janë zhvarrosur eshtrat e 61 viktimave të luftës, kryesisht nga masakrat e Rezallës, Qikatovës së Vjetër dhe Zabelit të Ulët. Gara theksoi se të dhënat e publikuara nga institucionet serbe në vitin 2010 flisnin për rreth 250 viktima të mundshme në varrezat masive të rajonit të Rashkës. Kjo, sipas tij, tregon se ka ende vendndodhje të tjera të pazbuluara.
Në lidhje me Batajnicën, Gara tha se, megjithëse aty janë zhvarrosur mbi 700 viktima gjatë viteve 2001-2002, analizat e kryera me partnerët ndërkombëtarë dhe pamjet satelitore sugjerojnë se në këtë zonë mund të ketë ende eshtra të të paktën 58 viktimave të tjera.
Ai bëri të ditur se pala serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e Grupit Punues për Persona të Zhdukur, planifikuar në Prishtinë gjatë marsit, si dhe ka refuzuar mbajtjen e një takimi në nivel ekspertësh mjekoligjorë.
Gara tha se Kosova do të vazhdojë të mbetet shembull në rajon në trajtimin e informacioneve për personat e zhdukur. Sipas tij, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë shqyrtuar 14 vendndodhje, prej të cilave 13 lidhen direkt me procesin e gërmimeve në kërkim të personave të zhdukur. Nga këto vendndodhje janë gjetur eshtra që u përkasin të paktën 10 individëve, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet pas analizave të ADN-së.
Gara theksoi se në territorin e Kosovës janë adresuar rreth 2.700 vendndodhje për gërmime vlerësuese, duke e cilësuar procesin jashtëzakonisht kompleks dhe të ndërlidhur me shqyrtimin e vazhdueshëm të informacioneve të reja.
Në lidhje me vendndodhjen e Kozhles në Serbi, Gara tha se procesi po përballet me vonesa të ngjashme me ato të regjistruara më herët në Rudnicë dhe Kizhevak. Ai shtoi se gjatë këtij viti ende nuk ka pasur ftesë për vazhdimin e gërmimeve në Kozhle apo në vendndodhje të tjera prioritare në Serbi.
Gara vlerësoi se vetëm një presion më i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë mund të sjellë rezultate konkrete në këtë proces. Ai rikujtoi se gjatë viteve 2000-2001, qeveria serbe themeloi një grup punues në Ministrinë e Brendshme për të trajtuar krimet e luftës, duke theksuar ekzistencën e një liste me rreth 16 varreza masive në territorin e Serbisë. “Ne kemi konfirmuar deri tani pesë varreza, por nuk e kemi parë listën, prandaj nuk e dimë nëse këto pesë janë pjesë e atyre 16. Kjo do të thotë se mund të kemi 11 ose edhe 16 varreza të tjera masive të pazbuluara,” shpjegoi Gara. Ai shtoi se vendndodhje të shumta mbeten pjesë e agjendës, duke përfshirë Batajnicën, rajonin e Rashkës dhe Novi Pazarit, minierën në Shtavall, zonën pranë minierës në Bor, si dhe Mashkaticën e Surdulicën. “Të gjitha këto janë pjesë e kërkesave tona zyrtare të paraqitura vazhdimisht në takimet me partnerët ndërkombëtarë. Pra, dy prioritetet mbeten qasja në të dhënat arkivore dhe lejimi i gërmimeve në vendndodhjet në territorin e Serbisë,” përfundoi ai.
