Sorensen: Takimi Kurti-Vuçiq vetëm kur palët të jenë gati për rezultate konkrete, asnjëra nuk duhet të presë tjetrën për zbatimin e marrëveshjeve

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq do të caktohet vetëm atëherë kur liderët të jenë të gatshëm të arrijnë rezultate konkrete. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Express”, e para me shkrim dhe e para me një media në Kosovë, diplomati danez theksoi se zbatimi i detyrimeve nga procesi i normalizimit mes Prishtinës dhe Beogradit është nën nivelin e angazhimeve të marra dhe se marrëveshjet po vonohen. Ai shtoi se këtë ia ka bërë të qartë si Kurtit, ashtu edhe Vuçiqit.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Miroslav Lajçak, i cili kërkonte nga Kosova të fillonte së pari me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Sorensen sqaroi se nuk është çështje se kush lëviz i pari dhe se asnjëra palë nuk duhet të presë tjetrën. Zbatimi i marrëveshjeve, sipas tij, është detyrues. Ai theksoi se ndërhyrja nga zyrtarë të lartë të BE-së, siç është Kaja Kallas, në kërkim të progresit, nuk mund të zëvendësojë punën që Kosova dhe Serbia vetë mund të bëjnë.

Sorensen pranoi se ka pasur rezultate konkrete që nga marrja e detyrës, siç janë takimi i Komisionit të Përbashkët për Persona të Pagjetur dhe zgjidhja e përkohshme për qytetarët serbë që punojnë dhe studiojnë në Kosovë, duke u mundësuar atyre marrjen e lejeve të punës dhe qëndrimit. Megjithatë, ai ishte i drejtpërdrejtë kur tha se në lidhje me obligimet thelbësore të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit, zbatimi mbetet shumë nën atë që të dy palët janë zotuar.

Lidhur me ngërçin politik në Kosovë, Sorensen theksoi se obligimet e marrëveshjeve detyrojnë Beogradin dhe Prishtinën, jo vetëm qeveritë e momentit. “Obligimet nuk pauzohen për një kalendar zgjedhor apo bisedime koalicioni,” deklaroi ai.

Sa i përket çështjes së personelit gjyqësor serb të Kosovës, Sorensen theksoi se Kushtetuta e Kosovës kërkon një sistem drejtësie multietnik. BE-ja ka kërkuar vazhdimisht riintegrimin e personelit gjyqësor serb, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe marrëveshjet e dialogut. Ai shprehu shqetësim për refuzimin e dorëheqjeve të tërhequra, duke e konsideruar të papajtueshëm me ligjin e Kosovës dhe procedurat e rregullta ligjore.

I dërguari i BE-së rikonfirmoi se Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i saj mbeten në fuqi, janë ligjërisht të detyrueshme për të dy palët dhe përbëjnë pjesë integrale të rrugës evropiane të secilës palë. Ai theksoi se asnjëra palë nuk duhet të presë tjetrën. Për Kosovën, Aneksi specifikon qartë zbatimin e Nenit 7, duke kërkuar nisjen e negociatave për vetëmenaxhimin e komunitetit serb. Paralelisht, obligimet e Serbisë, duke përfshirë moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pranimin e dokumenteve e simboleve të Kosovës, janë po ashtu të vonuara.

Sorensen dënoi fuqishëm gjuhën nxitëse, përfshirë deklaratat për “spastrim etnik”, duke theksuar se “nuk ka vend në Evropë për retorikë që avokon, justifikon apo relativizon spastrimin etnik. Këto deklarata fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit. Ato janë të papajtueshme me rrugën evropiane dhe shkelin obligimet e marra lirshëm në këtë Dialog.”

Në fund, Sorensen përsëriti se Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, është plotësisht në dijeni për situatën në dialog dhe e ka normalizimin në agjendën e saj, por theksoi se asnjë aktor i jashtëm nuk mund t’i zbatojë këto marrëveshje në emër të palëve. “Vetëm Beogradi dhe Prishtina mund ta bëjnë këtë,” përfundoi ai.