Familja e Mefail Shkodrës, i cili ndodhet në arrati, ka denoncuar se vila e tyre luksoze po dëmtohet.

Kanë kaluar ekzaktësisht një vit e dhjetë ditë nga ngjarja tragjike që tronditi Gjilanin, kur më 10 gusht të vitit të kaluar, në mesditë, në qendër të qytetit, u qëlluan për vdekje baba e bir, Selami dhe Edmron Hasani, argjendarë të njohur në Gjilan, si dhe Abedin Hoxha.

Të dyshuar kryesorë për këto vrasje janë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, të cilët që prej ditës së krimit vazhdojnë të jenë në arrati, të pakapshëm për organet e rendit.

Ndërkohë, në arrati, ata po përcjellin me shqetësim gjendjen e një vile luksoze në pronësi të tyre. Sipas denoncimit të dërguar në redaksinë e Indeksonline, familja Bunjaku ka dëmtuar sërish vilën e tyre në Makresh të Novobërdës.

Familja Shkodra akuzon se kjo është hera e tretë që vila po dëmtohet qëllimisht. Ata theksojnë se ekziston edhe një urdhër ndalimi gjyqësor, i cili u ndalon personave në fjalë afrimin fizik pranë kësaj prone.