**Përkujtohet masakra e 28 Majit 1999: Homazhe për familjen Kastrati, simbol i qëndresës për liri**

Më shumë se dy dekada kanë kaluar, por dhimbjet e hidhura të luftës së fundit në Kosovë mbeten të pashlyera. Këtë e dëshmon më së miri 28 maji i vitit 1999, një ditë që la shenja të thella dhe të përhershme për familjen Kastrati nga Peja.

Historia e familjes Kastrati për liri nis qysh në vitet ’80, kur ata kontribuan në mënyra të ndryshme për çështjen kombëtare. Kjo angazhoi i bëri objektiv të persekutimit nga radhët serbe, të cilat u shkaktuan dëme të panumërta materiale, bastisje të shtëpive dhe dhunë fizike. Këto ngjarje do të merrnin një kthesë tragjike më 28 maj 1999.

Në fund të viteve ’90, Valon Kastrati, atëherë student i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, iu përgjigj pa hezitim thirrjes për të ndjekur rrugën e lirisë, duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga ai moment, rrugëtimi i familjes Kastrati u mbush me krenari, ndonëse edhe me ankth.

Ndërsa Valon Kastrati ndodhej në vijën e parë të frontit, në Koshare, duke mbajtur gjallë shpresën për liri dhe ribashkim me familjen, një lajm i rëndë do t’i arrinte komandantit të tij më 28 maj 1999. Forcat paramilitare serbe kishin sulmuar familjen Kastrati, duke vrarë anëtarët më të ngushtë të Valonit, një goditje e rëndë që e la të shokuar.

Kjo dhimbje e thellë, megjithatë, vetëm sa e bëri Valonin më të fortë dhe më të palëkundur në qëllimin për të ruajtur të gjallë kujtimin e të dashurve të tij. Me respekt dhe mall të pashuar kujtohen: Sokol (Çelë) Kastrati, Valdet (Sokol) Kastrati, Xhafer (Çelë) Kastrati, Alban (Xhafer) Kastrati dhe Adrian (Xhafer) Kastrati, të vrarë mizorisht nga ushtria serbe, si dhe miku i familjes, Hasan (Emrush) Muratagiq.

Çdo vit, ky përvjetor shërben si një kujtesë e thellë dhe homazh për të gjithë ata që ranë për liri. Edhe këtë vit, më 28 maj, në varrezat e qytetit në Pejë, u bënë homazhe përkujtimore. Ky organizim mblodhi bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë, të cilët dëshmuan se të rënët për liri do të mbahen gjithmonë në zemrat tona, si themel i ditëve të lirisë që gëzojmë sot. Historia e familjes Kastrati mbetet një dëshmi prekëse e sakrificës sublime dhe e rrugëtimit të vështirë drejt lirisë, duke shndërruar dhimbjen në forcë dhe krenari.