Viti | Aksident Fatal: 70-vjeçari Humb Jeten në Rrugën Viti – Ramnishtë

Një 70-vjeçar ka humbur jetën sot si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në rrugën Viti – Ramnishtë, ndërmjet dy automjeteve.

Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 08:30, më 28 maj 2026. Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, menjëherë pas raportimit, në vendin e aksidentit kanë mbërritur njësitë e Trafikut Rajonal. Hetimet paraprake tregojnë se të dy drejtuesit e automjeteve, banorë të Komunës së Vitisë, pësuan lëndime trupore.

Megjithatë, si pasojë e përplasjes, njëri prej shoferëve pësoi lëndime veçanërisht të rënda. Ai, një 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Vitisë, u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor. Përkundër përpjekjeve të mjekëve dhe kujdesit të ofruar, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit është njoftuar dhe ka dhënë urdhër për ndalimin e drejtuesit tjetër të automjetit për 48 orë. Ndërkohë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti fatal po vazhdojnë nga hetuesit rajonalë të trafikut të Policisë së Kosovës në Gjilan.