Fëllanza Knushaj zgjidhet nënkryetare e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave

Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur të hënën, zgjodhi Fëllanza Knushajn, kryetare e Gjykatës Themelore në Gjakovë, në pozitën e nënkryetares së saj.

Në garë për këtë post ishte edhe Shpresa Emra, kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren.

Gjatë procesit të votimit, Knushaj mori 12 vota, ndërsa Emra siguroi 3 vota. Një votë u shpall e pavlefshme.

Mandati i Knushajt në këtë pozitë do të përkojë me mandatin e saj si kryetare e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Propozimin për Fëllanza Knushajn e bëri kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, ndërsa Shpresa Emra u propozua nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj.