**Serbia akuzohet për ndërhyrje hibride në zgjedhjet e Kosovës: Propagandë, rrjete kriminale dhe Lista Serbe**
**PRISHTINË** – Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” mbajti Forumin 2026, me temë “Integriteti Zgjedhor përballë Kërcënimeve Hibride: Implikimet e Sigurisë nga Ndërhyrja e Huaj”. Në këtë forum u diskutua për ndërhyrjet hibride dhe sfidat e sigurisë në proceset zgjedhore të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, theksoi se Serbia vazhdon të ndërhyjë në Kosovë, kryesisht gjatë proceseve zgjedhore. Ai kujtoi se dy kongresmenë amerikanë, pas një vizite rajonale, e përshkruan Serbinë si faktor diskriminimi dhe destabilizimi, duke propozuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Serbia vazhdon të ndërhyjë në Kosovë, sidomos në proceset zgjedhore, duke përdorur një strategji të kombinuar destabilizimi përmes propagandës, presionit politik, rrjeteve kriminale, spiunazhit dhe instrumentalizimit të komunitetit serb. Çdo cikël zgjedhor shoqërohet me ndërhyrje në nivel politik, informativ dhe të sigurisë, ku identifikohen operacione hibride nga mekanizma shtetërorë dhe jo-shtetërorë, si strukturat e inteligjencës, mediat, rrjetet kriminale dhe instrumentet politike si Lista Serbe,” deklaroi Fetoshi.
Sipas tij, Serbia shfrytëzon komunitetin serb në Kosovë për qëllime politike. “Përmes presionit, frikësimit, varësisë ekonomike dhe manipulimit informativ, Serbia i mban peng serbët e Kosovës, duke i përdorur ata si mjet për qëllimet politike dhe interesat klienteliste të Vuçiqit. Thirrjet për të votuar Listën Serbe si garanci e vetme për mbijetesën e serbëve në Kosovë, jo vetëm që vërtetojnë rolin e saj si instrument politik i Beogradit apo qasjen që minon sovranitetin e Kosovës, por edhe angazhimin shtetëror kundër të drejtës së qytetarëve serbë për zgjedhje të lira dhe përfaqësim demokratik,” shtoi ai.
Fetoshi theksoi se mbrojtja e proceseve zgjedhore është thelbësore edhe për stabilitetin rajonal. “Prandaj, neutralizimi i ndërhyrjeve të Serbisë në proceset zgjedhore të Kosovës nuk është vetëm detyrë në shërbim të interesave të vendit, por edhe një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e vlerave themelore evropiane. Në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike, kjo detyrë kërkon maturi institucionale, transparencë demokratike dhe argumentim sistematik ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke e trajtuar ndërhyrjen e Serbisë jo vetëm si çështje të sigurisë kombëtare, por edhe si kërcënim ndaj integritetit të proceseve demokratike në Ballkanin Perëndimor,” përfundoi ai.
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, foli për përvojat gjatë organizimit të zgjedhjeve në veri të Kosovës. “Çështja e zgjedhjeve mbetet vazhdimisht në agjendën e Kosovës, si një temë me interes të përhershëm dhe në fokusin e të gjithëve. Gjatë viteve që unë drejtova Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kemi pasur përvoja të ndryshme lidhur me sigurinë, sidomos me çështjet që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës,” tha Daka. Ajo kujtoi vitin 2013, kur për herë të parë u organizuan zgjedhje ligjore në veri, pasi më parë kishte pasur vetëm tentativa të pasuksesshme për mbajtjen e tyre. Kjo u arrit pas një marrëveshjeje në Bruksel, ku Daka ishte pjesë e diskutimeve me Serbinë.
Daka theksoi se, pavarësisht përpjekjeve, në ditën e zgjedhjeve pati trazira dhe incidente serioze, duke përfshirë vdekjen e një komisioneri dhe thyerjen e kutive të votimit. “KQZ-ja gjithmonë është përballur me tentativa nga shteti i Serbisë për ndërhyrje gjatë organizimit të zgjedhjeve, sidomos në pjesën e veriut. Këto ndërhyrje kanë qenë të shumëllojshme, duke filluar nga vetë Lista Serbe, e cila ka qenë bartëse e përpjekjes së Serbisë për të ndërhyrë në zgjedhje, duke tentuar që kandidatët të manipulohen dhe të drejtohen drejtpërsëdrejti nga Serbia,” tha ajo.
Vllaznim Sortulli nga Policia e Kosovës deklaroi se institucionet e sigurisë janë transformuar dhe përgatitur për t’u përballur me sfida hibride gjatë proceseve zgjedhore, në të cilat ai ka qenë i përfshirë prej më shumë se një dekade. Ai theksoi se lufta hibride është një realitet i pranishëm, ndaj Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e duhura për të përgatitur stafin për sfidat e reja. Sortulli përmendi rastet e fundit në Graçanicë, ku u arrestuan disa zyrtarë komunalë që kishin përdorur presionin ekonomik e social ndaj punonjësve të tyre, duke i larguar nga puna.
Hulumtuesi nga Hibrid.info, Festim Rizanaj, foli për narrativat dezinformuese gjatë fushatave zgjedhore:
1. **Narrativa e terrorit institucional dhe arrestimeve politike:** Çdo zhvillim politik në Kosovë interpretohet dhe amplifikohet nga mediat serbe. Arrestimet në Graçanicë paraqiten si një plan i Albin Kurtit – i cili konsiderohet antagonisti kryesor – për të goditur mbijetesën e serbëve në Kosovë, duke etiketuar këta të arrestuar si të burgosur politikë, pa ndonjë bazë ligjore. Gjithashtu, gjykimet për krime lufte shfrytëzohen në narrativat serbe si strategji politike elektorale, duke fajësuar serbët në përgjithësi.
2. **Narrativa e manipulimit zgjedhor përmes “pastrimit” të komisioneve:** Zëvendësimi i fundit i komisionerëve prezantohet si një veprim i KQZ-së për të eliminuar përfaqësuesit e Listës Serbe nga vendvotimet, me qëllim që të mundësohen plane dashakeqe të partive politike shqiptare për të manipuluar zgjedhjet në dëm të partive dhe politikanëve serbë.
3. **Narrativa e blerjes së votave përmes diasporës:** Shifra prej rreth 140 mijë votuesish të regjistruar nga diaspora, e qarkulluar së fundmi, portretizohet nga mediat serbe si një plan i keq për të goditur vullnetin e qytetarëve, duke lidhur çdo zhvillim me dëmtimin e komunitetit serb.
