Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka rikujtuar se objektivi kryesor i “Dardanëve” është kualifikimi në Kampionatin Evropian “Euro 2028”.
Kosova të dielën përballet me Austrinë, në një ndeshje të rëndësishme për promovimin në Ligën A të Ligës së Kombeve, ku austriakët konsiderohen favoritë.
Në konferencën për media, Foda u ka bërë thirrje futbollistëve të luajnë me vetëbesim, duke theksuar se Kosova duhet ta mbajë fokusin te objektivi madhor.
“Jam i kënaqur nëse loja shkon mirë. Në fund të ditës, do të shohim se çfarë po ndodh. Me rëndësi është të luajmë me vetëbesim, e njohim Austrinë. Janë favoritë, por kjo nuk do të thotë ta ulim vetëbesimin. Qëllimi im është Kampionati Evropian 2028, kjo ka qenë objektivi nga dita ime e parë”, deklaroi Foda.
Sfida Austri – Kosovë zhvillohet të dielën nga ora 18:00. /IndeksOnline/
