Forcat detare iraniane tha të hënën se e kishte parandaluar hyrjen e luftanijeve të armikut në Ngushticën e Hormuzit përmes lëshimit të një “paralajmërimi të shpejtë dhe vendimtar”, sipas televizionit shtetëror.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të dielën se vendi i tij të hënën në mëngjes do të niste një përpjekje për çlirimin e anijeve të ngujuara në ngushticë si “gjest humanitar” për t’u dalë në ndihmë shteteve neutrale në luftën amerikano-izraelite kundër Iranit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, “Fars”, tha se një luftanije amerikane është goditur nga dy raketa, përderisa ishte duke lundruar afër portit Jask, në hyrjen jugore të ngushticës, dhe hoqi dorë nga përpjekje për të kaluar transit nëpër ngushticë.

Më tej, aty thuhet se forcat e armatosura iraniane të hënën lëshuan disa paralajmërime për forcat e huaja detare që të mos hynin në Ngushticën e Hormuzit, në të kundërtën do të ballafaqoheshin me një “kundërpërgjigje vendimtare”.

Më herët, sipas një raportimi nga BBC-ja, i cili i citoi mediat shtetërore iraniane, Roja Revolucionare e Iranit tha thënë se pretendimi i Shteteve të Bashkuara për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit përbën “gënjeshtra të plota”.

Mediat shtetërore shpërndanë një deklaratë të Rojës Revolucionare, ku thuhet se “asnjë anije tregtare apo anije cisternë” nuk ka kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit “në orët e fundit”.