Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka forcuar aftësitë e saj teknike për mirëmbajtjen e automjeteve HMMWV, falë një trajnimi të realizuar në bashkëpunim me Gardën Kombëtare të Ajova-s, SHBA.

Trajnimi, i njohur si “Maintenance Event”, u zhvillua në objektin e SMAR-it, në Aeroportin e Gjakovës, duke shënuar një hap tjetër në zhvillimin profesional të vazhdueshëm të FSK-së.

Pjesëtarët e FSK-së, së bashku me ata të Gardës Kombëtare të Ajova-s, SHBA, morën pjesë në këtë stërvitje, e cila mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e njohurive thelbësore teknike për mirëmbajtjen e automjeteve HMMWV.

Gjatë programit, personeli i FSK-së thelloi aftësitë praktike në inspektimin, mirëmbajtjen, diagnostikimin dhe riparimin e sistemeve kyçe të HMMWV-ve, me theks të veçantë te transmisioni, sistemi i karburantit dhe sistemet elektronike.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm ishte zhvillimi i instruktorëve brenda FSK-së, duke siguruar që njohuritë dhe përvojat e fituara të mund të shpërndahen më tej te pjesëtarët e tjerë të Forcës.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së vazhdueshme të aftësive teknike e profesionale të FSK-së, rritjes së efikasitetit në mirëmbajtjen e pajisjeve dhe forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm me Gardën Kombëtare të Ajova-s.