FSK-ja zhvillon ushtrim të përbashkët me SHBA-në, Kroacinë dhe Shqipërinë në vitin 2026: Priten lëvizje automjetesh nga 21 shtatori deri më 2 tetor

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar publikun për zhvillimin e një ushtrimi të përbashkët me forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kroacisë dhe Shqipërisë. Ky ushtrim i planifikuar do të mbahet nga data 21 shtator deri më 2 tetor të vitit 2026.

Ushtrimi, i emërtuar “Valor Shield 2026”, do të kryhet në komunat e Drenasit, Obiliqit, Fushë-Kosovës dhe Prishtinës. Gjatë kësaj periudhe, pritet të ketë lëvizje të shtuar të automjeteve ushtarake në drejtim të këtyre qyteteve, si pjesë e skenarit të ushtrimit.

FSK-ja ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për këtë lëvizje, duke theksuar se ajo kryhet në funksion të realizimit të suksesshëm të ushtrimit dhe rritjes së kapaciteteve operacionale.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se nga data 21 shtator deri më 2 tetor 2026, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe ushtritë partnere nga SHBA-ja, Kroacia dhe Shqipëria do të realizojnë ushtrimin fushor “VALOR SHIELD 2026”. Gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të automjeteve nga vendbazimet e FSK-së në drejtim të komunave të Drenasit, Obiliqit, Fushë-Kosovës dhe Prishtinës. Kjo lëvizje do të bëhet me qëllim të realizimit të ushtrimit, andaj kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët,” thuhet në njoftimin e FSK-së.