**Guardiola: Futbolli modern, më kërkues dhe më kompleks se kurrë**
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka analizuar thellësisht evolucionin e futbollit modern, duke theksuar se loja sot është bërë dukshëm më e vështirë dhe më komplekse. Sipas tij, kjo vështirësi buron nga përgatitja fizike superiore e lojtarëve, analizat e thelluara të kundërshtarëve dhe intensiteti i lartë në fushë.
Tekniku spanjoll vlerëson se zhvillimi i teknologjisë dhe analizës taktike ka reduktuar ndjeshëm faktorin e surprizës gjatë ndeshjeve. “Futbolli ka ndryshuar shumë, veçanërisht në analizën dhe kuptimin e kundërshtarëve dhe veprimeve të tyre. Për të gjithë ka më pak surpriza,” ka deklaruar Guardiola.
Ai thekson se futbolli i ditëve të sotme është më kërkues se në të kaluarën, kryesisht për shkak të lojtarëve, të cilët janë dukshëm më të përgatitur fizikisht dhe luajnë me një ritëm më të lartë. “Futbolli është më i vështirë tani se më parë. Lojtarët janë të jashtëzakonshëm, shumë më të përgatitur fizikisht dhe me një ritëm më të lartë. Hapësirat janë më të vogla dhe mbulimi është më i fortë,” është shprehur trajneri.
Pavarësisht kësaj vështirësie, Guardiola e sheh këtë evolucion si një aspekt pozitiv të sportit, duke e cilësuar futbollin modern si më të komplikuar, por njëkohësisht edhe më tërheqës. “Sot futbolli është i jashtëzakonshëm. Është shumë më i vështirë,” përfundoi ai.
/Indeksonline/
