Franco Foda optimist: “Shanse 50-50, por synojmë Botërorin” para sfidës së Kosovës me Turqinë

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, mbajti sot një konferencë shtypi ku shpalosi synimet e qarta të Dardanëve para ndeshjes më të rëndësishme në historinë e tyre. Ai theksoi se, ndonëse Kosova dhe Turqia kanë shanse të barabarta për fitore në finalen e “play-off”-it eliminator të Kampionatit Botëror 2026, objektivi i tij i vetëm është kualifikimi i Kosovës në këtë turne madhor.

Trajneri gjerman u shpreh se ekipi i tij do të bëjë çmos për të fituar. “Turqia ka shumë lojtarë cilësorë, por edhe ne kemi të tillë. Shanset janë 50-50, ne do të japim maksimumin për fitore,” deklaroi Foda, duke shtuar se ka besim te të gjithë futbollistët.

Në lidhje me Edon Zhegrovën, i cili nuk u aktivizua në ndeshjen kundër Sllovakisë, Foda dha shpresa se “Luani i Kosovës” mund të luajë që nga fillimi kundër Turqisë. “Çdo ndeshje ka situatat e veta. Nesër ka gjasa që Edoni të luajë nga fillimi,” tha ai. Trajneri foli edhe për strategjinë, duke theksuar se ekipi ka studiuar pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. “Ekipi turk është shumë i fortë. Loja e tyre bazohet në pasime të shkurta, ne do të tentojmë me kundërsulme sa herë që kemi topin,” shpjegoi Foda.

I pyetur për ndeshjen, Foda theksoi: “Nuk jam parashikues i së ardhmes, nuk e di sa do të zgjasë ndeshja, por ne jemi të përgatitur për çdo gjë.” Ai shprehu edhe ambicien personale: “Kur mori drejtimin e Kombëtares së Kosovës, qëllimi fillestar ishte kualifikimi në EURO, mirëpo situata bëri që të jemi në një rrugë të mirë drejt Botërorit. Do të ishte një arritje e madhe për karrierën time nëse kualifikohemi në Botëror.”

Kosova dhe Turqia do të përballen nesër mbrëma në finalen e “play-off”-it eliminator të Kampionatit Botëror 2026, në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45.