Armë, granata dore dhe uniforma ushtarake të dyshuara të luftës zbulohen gjatë punimeve në Gjilan
Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se gjatë punimeve në një rrugë në Gjilan janë zbuluar mjete të dyshimta luftarake.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, punëtorët kanë hasur në disa mjete të pashpërthyera, përfshirë fishekë, karikatorë, armë të gjata, granata dore dhe uniforma ushtarake. Këto gjetje dyshohet se i përkasin periudhës së luftës.
Pas marrjes së njoftimit, njësia policore ka siguruar menjëherë zonën. Më pas, në vendngjarje kanë mbërritur edhe njësitë e deminimit nga KFOR-i dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK). Këto njësi kanë bërë tërheqjen e sigurt të të gjitha mjeteve të gjetura, pa shkaktuar asnjë incident.
