Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni.

Hyseni u paraqit këtë të enjte në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë të caktuar ndaj saj, e cila lidhet me procedimin penal nr. 20/1.

Përpara se të hynte në ambientet e gjykatës, ajo pati një përplasje verbale me gazetarët, duke komentuar lidhur me pretendimet për takime me agjentë serbë.

Këto masa, “arrest në shtëpi” dhe “pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, i ishin caktuar Hysenit nga GJKKO me vendimin e datës 21 shtator, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).