Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të vazhdojë gjykimin në mungesë ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte në masakrën e Reçakut. Vendimi u mor pasi gjykata konstatoi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe se janë bërë përpjekje të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së tyre.
Prokurori Special, Ilir Morina, deklaroi se para ngritjes së aktakuzës në mungesë, janë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore të parapara. Ai theksoi se këto kushte përfshijnë thirrjen e të pandehurve, lëshimin e urdhërarresteve, kërkimin e adresave të tyre në territorin e Kosovës, si dhe fletëarrestet kombëtare e ndërkombëtare. Morina shtoi se Prokuroria kishte dërguar kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare në vitin 2021, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, konfirmoi se gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për njoftimin dhe sigurimin e pranisë së të akuzuarve, por pa sukses. Ajo specifikoi se njoftimet për mbajtjen e seancës, ftesat, aktakuza dhe thirrjet për informacione mbi vendndodhjen e të pandehurve janë publikuar në ueb-faqen e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në atë të Prokurorisë së Shtetit dhe në Gazetën Zyrtare të Kosovës më 20 maj 2026.
Gjykata, sipas gjyqtares, kishte kërkuar informacione edhe nga zyrat komunale për komunitete në Shtërpcë, Shtime, Kamenicë, Hani i Elezit dhe Ferizaj, ku disa nga të pandehurit kishin pasur vendbanimin e fundit. Po ashtu, ishte dërguar kërkesë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme për Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, për të siguruar adresat e atyre që dyshohet se ndodhen në Serbi, me qëllim që t’u përcillej informacioni për seancën. Deri në këtë moment, nuk është marrë asnjë përgjigje.
Për pasojë, meqenëse të akuzuarit nuk ishin paraqitur dhe bëhet fjalë për krime lufte, gjykata arriti në përfundim se gjykimi në mungesë mund të zhvillohet, pasi u bind se ishin bërë përpjekje të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së tyre.
Më pas, prokurori special Ilir Morina lexoi aktakuzën, sipas së cilës 21 të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë (Brigada ‘243 e Mekanizuar’, Armata e III-të ‘Korpusi i Prishtinës’) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë (duke përfshirë Njësitë e Veçanta të Policisë – PJP, Njësitë Speciale Antiterroriste – SAJ, Njësitë e Divizionit për Siguri Shtetërore – RDB, Njësitë e Divizionit për Siguri Publike – RJB dhe Njësitë Rezervë), akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Reçak të Shtimes.
Aktakuza detajon se më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, të akuzuarit, në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë në vrasjen e 42 civilëve. Fshati u rrethua rreth orës 06:00 të mëngjesit, u granatua nga distanca nga vendet si ‘Pishat’ dhe ‘Gështenjat’, e më pas njësitë hynë me automjete të blinduara, duke kontrolluar shtëpi për shtëpi. Gjatë këtij operacioni, u kryen vrasje, trajtime çnjerëzore dhe shkatërrim pronash civile, siç ishte rasti i Banush Kamerit, të cilit iu pre koka, apo vrasja e Haki Metushit, Sabri Sylës dhe Arif Metushit në vendin e quajtur ‘Vrella’. Po ashtu, aktakuza përshkruan se civilët që po largoheshin drejt malit u zunë në pritë nga policia serbe, ku u vranë Halim, Riza dhe Zenel Beqiri, ndërsa të tjerë u plagosën. Në lagjen ‘Emini’, Ismet Emini u plagos dhe vëllai i tij, Ajet Emini, u vra. Pranë ‘Çesmës’, u vranë Bajram Mehmeti dhe vajza e tij Hanumshahe Mehmeti, si dhe pati të plagosur të tjerë.
Pas leximit të aktakuzës, gjyqtarja Namani-Hajra tha se, për shkak të gjykimit në mungesë, deklarimet mbi fajësinë nuk mund të merren në këtë fazë të procedurës. Ajo udhëzoi mbrojtësit e të akuzuarve që brenda afatit prej 30 ditësh t’i paraqesin gjykatës kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen poshtë të aktakuzës.
