Një 15-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Itali, pasi u përplas nga një makinë teksa lëvizte me biçikletë. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën e Viçencës. Manuel Korreshi, siç identifikohet viktima, banonte në Castegnero Nanto.

Aksidenti ndodhi në Riviera Berica, pranë Ponte di Barbarano. I riu u dërgua me urgjencë në spitalin “San Bortolo” në Viçenca, por plagët e rënda rezultuan fatale dhe ndërroi jetë pak para orës 20:00 në kujdesin intensiv pediatrik.

Manuel Korreshi ishte nxënës në Institutin Lampertico në Viçenca dhe një futbollist i talentuar i klubit AC Este. Ai lë pas prindërit, me origjinë shqiptare, dhe vëllain e madh, Enea, i cili gjithashtu luan futboll për Este U16. Miqtë e tij e kujtuan me fjalët “Fluturo lart, sulmues”, ndërsa shokët e shkollës dhe komuniteti sportiv shprehën dhimbjen për humbjen e parakohshme të futbollistit të ri.

Rrethanat e aksidentit po hetohen nga Karabinierët e Viçencës, të cilët ndërhynë së bashku me shërbimet e emergjencës Suem. Sipas një rindërtimi paraprak, Manuel, i cili jetonte me nënën e tij në Castegnero Nanto, po kthehej në shtëpi me biçikletë. Rreth orës 01:00 të mëngjesit, teksa lëvizte në rrugën provinciale 247 në drejtim të veriut dhe po i afrohej një rrethrrotullimi pranë Ponte di Barbarano, ai u godit nga një makinë që udhëtonte në të njëjtin drejtim.

Nga përplasja, 15-vjeçari u hodh në ajër, ra në asfalt dhe më pas përfundoi në një kanal pranë rrugës. Mësohet se ai kishte qenë me të atin në Barbarano dhe po kthehej te e ëma. Shoferi i automjetit ndaloi menjëherë dhe njoftoi numrin e emergjencës 118.

Manuel ishte pa ndjenja kur mbërritën shërbimet e urgjencës, të cilët pas stabilizimit e transportuan me urgjencë në spitalin “San Bortolo” në Viçenca, ku u shtrua në kujdes intensiv. Shoferi i automjetit u tha Karabinierëve se nuk e kishte parë biçikletën, duke theksuar se “ishte shumë errësirë” dhe se “nuk e vura re derisa u shfaq papritur para meje.” Ai tha se ishte ende i tronditur nga ngjarja.

Prokuroria është njoftuar dhe hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme, përfshirë sekuestrimin e automjeteve dhe hapjen e një hetimi për vrasje me automjet. Gjithashtu do të verifikohet nëse biçikleta kishte dritën e ndezur në momentin e fatkeqësisë.

Vdekja e Manuelit ka tronditur thellë komunitetin. Kryetarja e bashkisë Castegnero Nanto, Manuela Vecchiatti, e quajti ngjarjen një “tragjedi që na trishton thellë” dhe shprehu ngushëllimet për familjen. Edhe miqtë e shumtë të Manuelit shkruan mesazhe prekëse në rrjetet sociale: “U prehsh në paqe Manu”, “Përgjithmonë njëri prej nesh”, “Ike shumë herët”.