I përfshirë në Top 11-shen e lojtarëve më të mirë në botë të ditëlindjes 2007, Alain Taho është projektuar si portieri i së ardhmes në shtëpinë e Interit.
Shtatlartë (193 cm), i pakalueshëm mes shtyllave dhe me teknikë të lartë në lojën me këmbë, 19-vjeçari zikaltër mbart me vete edhe krenarinë e origjinës së tij shqiptare.
Pjesë e klubit milanez që prej vitit 2018, Taho është rritur me frymën zikaltër dhe karakterin luftarak kuqezi. Sezonin e kaluar ai zhvilloi 33 ndeshje me Primavera-n, duke qenë heroi i triumfit në Superkupën e Italisë me penalltinë e parpritur, si dhe protagonist në ecurinë e shkëlqyer në UEFA Youth League. Paraqitjet e tij bënë që Cristian Chivu ta grumbullonte 13 herë me ekipin e parë mes Serie A dhe Champions League (përfshirë duelet ndaj Atletico Madrid dhe Liverpool).
Gjatë verës, për talentin me gjak shqiptar erdhën oferta konkrete nga Luzerni në Zvicër (me vlerë rreth 1 milion euro) si dhe nga Gil Vicente e Tondela në Portugali. Megjithatë, ai zgjodhi të qëndrojë te Interi për të vazhduar rrugëtimin drejt elitës.
Sot, si pjesë e Inter Under-23 në Serie C, Taho po punon fort për të bindur trajnerin Stefano Vecchi t’i besojë fanellën e titullarit. Me cilësitë e një portieri modern dhe pjekurinë e treguar në fushë, shpërthimi i tij mes të rriturve është thjesht çështje kohe.
