Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se zvarritja e një rasti gjyqësor për më shumë se 11 vjet në Gjykatën Themelore në Prizren ka shkelur të drejtën e qytetarit për gjykim brenda një afati të arsyeshëm.

Rasti ishte paraqitur nga Blerim Kopreshi, i cili kishte kërkuar vlerësimin e kohëzgjatjes së procedurës lidhur me një çështje të shpronësimit të pronës së familjes së tij nga Komuna e Prizrenit.

“Gjykata, njëzëri (i) deklaroi kërkesën të pranueshme; dhe (ii) konstatoi se ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafit 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”, thuhej në njoftim.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura kishte nisur që nga viti 2014 dhe deri më sot ende nuk ka marrë epilog përfundimtar. Gjatë kësaj kohe, lënda kishte kaluar nëpër disa procedura, përfshirë edhe mosmarrëveshje për kompetencën mes gjykatave në Prizren dhe Prishtinë.

Gjykata theksoi se rasti nuk ishte aq kompleks sa të arsyetohej pritja mbi një dekadë, ndërsa parashtruesi kishte qenë aktiv duke kërkuar vazhdimisht përshpejtimin e procesit.

Po ashtu, Kushtetuesja vlerësoi se mungesa e zgjidhjes dhe kompensimit për pronën për kaq shumë vite ka ndikuar edhe në të drejtën e pronës së qytetarit.

Si rezultat, Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të së drejtës për proces të rregullt dhe urdhëroi Gjykatën Themelore në Prizren që ta trajtojë rastin me prioritet dhe ta përfundojë sa më shpejt