Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve dhe përgjegjëse për propozimin e Kryetarit të Kuvendit, si dhe të gjitha partive parlamentare, që të ndërmarrin sot hapat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me detyrimet kushtetuese.

GLPS thekson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues nuk do të ishte thjesht një papërgjegjësi politike, por një dështim i papranueshëm institucional, një shkelje e hapur e Kushtetutës dhe një mungesë serioze përgjegjësie ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Qytetarët, për gati dy vite, po paguajnë çmimin e një politike të dominuar nga kalkulimet partiake dhe jo nga përgjegjësia institucionale. Interesat partiake kanë tejkaluar interesin publik, duke bllokuar funksionimin e institucioneve dhe duke dëmtuar besimin e qytetarëve,” theksohet në reagimin e GLPS-së.

Përballë kësaj situate, GLPS e quajti të papranueshëm arsyetimin e Lëvizjes Vetëvendosje për ndërprerjen e seancës së djeshme, me pretendimin se nevojitet kohë shtesë për diskutime rreth zgjedhjes së Presidentit. Theksohet se diskutimet politike për konstituimin e institucioneve duhet të jenë proaktive dhe në shërbim të interesit publik. Çdo zvarritje në emër të “diskutimeve politike”, e cila ka për qëllim kalkulimet partiake, dëmton zbatimin e dispozitave kushtetuese, pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës dhe rrjedhimisht interesin publik. Çështja e Presidentit nuk mund të shërbejë si justifikim për të pezulluar ose shtyrë përmbushjen e një detyrimi kushtetues me afat të qartë dhe të detyrueshëm. Ky arsyetim është edhe më pak bindës, duke marrë parasysh se partitë politike kanë pasur muaj të tërë kohë për dialog rreth zgjedhjes së Presidentit. Vetë caktimi i seancës në ditët e fundit të afatit kushtetues u justifikua me dhënien e kohës shtesë për këto diskutime. Megjithatë, pas ndërprerjes së saj, nuk u pa asnjë takim mes partive politike që do ta justifikonte këtë shtyrje.

GLPS ka theksuar vazhdimisht se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk janë çështje negociatash të pafundme politike, por detyrime kushtetuese që burojnë nga vullneti i qytetarëve, i shprehur përmes zgjedhjeve. Njëkohësisht, është po aq thelbësore që partitë politike të zhvillojnë dialog serioz dhe të përgjegjshëm edhe për zgjedhjen e Presidentit. Megjithatë, këto dy procese nuk duhet dhe nuk mund të ndërthuren. Kushtetuta është e qartë: konstituimi i Kuvendit ka afatin e vet kushtetues, ndërsa zgjedhja e Presidentit zhvillohet sipas afateve të përcaktuara pas konstituimit të Kuvendit.

GLPS rikujton se konstituimi i Kuvendit është parakusht për zgjedhjen e dy institucioneve të tjera kushtetuese: Qeverisë dhe Presidentit, të cilat gjithashtu kanë afate të rrepta kushtetuese. Procedura për zgjedhjen e Presidentit mund të zhvillohet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit. Meqenëse mandati i Presidentes aktuale përfundon më 5 tetor, çdo zvarritje vetëm sa rrit rrezikun e një krize të re kushtetuese. Në të njëjtën kohë, ushtrimi i funksionit të Presidentit përtej përfundimit të mandatit kushtetues prej 6 muajsh, do të përbënte tejkalim të mandatit kushtetues dhe shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.

GLPS thekson se sot nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjera politike apo shtyrje të mëtejshme. Ka vetëm një detyrim të qartë: konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues. Çdo dështim për të përmbushur këtë detyrim do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik e institucional.