Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka kërkuar nga partitë politike të Kosovës që të arrijnë konsensus për zgjedhjen e presidentit. Ky apeli vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka dhënë Kuvendit një afat shtesë prej 34 ditësh për të zgjedhur kreun e shtetit, një mundësi që GLPS e cilëson si thelbësore për të dalë nga kriza politike.
Njomza Arifi, drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, shprehu shqetësimin se Kosova ka hyrë në vitin e dytë të një krize të thellë politike. Në një intervistë për Ekonomia Online, Arifi theksoi se kjo situatë po dëmton rëndë proceset reformuese të vendit dhe imazhin e tij ndërkombëtar.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të dhënë 34 ditë shtesë për zgjedhjen e presidentit duhet parë si një mundësi kritike nga të gjitha partitë politike për të dalë nga kriza,” tha Arifi. Ajo shtoi: “Kosova ka hyrë në vitin e dytë të një krize të thellë politike, e cila dëmton proceset reformuese dhe imazhin tonë ndërkombëtar. Thirrja jonë është që partitë politike të ulen dhe të gjejnë një konsensus të përbashkët për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të kishin pasoja të mëdha.”
Arifi paralajmëroi se zgjedhjet e reja nuk garantojnë një zgjidhje, përkundrazi, mund të thellojnë më tej krizën politike. “Një palë zgjedhje të reja nuk do të thotë që do të kishim një rezultat shumë të ndryshëm për të arritur tek një zgjidhje. Konsensusi është çelësi në këtë moment për të shmangur çdo krizë tjetër që do të mund të thellohej,” theksoi ajo.
Më tej, drejtoresha e GLPS-së paralajmëroi se një proces i ri zgjedhor do të ndikonte negativisht në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe reformave të rëndësishme, përfshirë ato në kuadër të planit të rritjes. “Zgjedhjet e reja do të nënkuptonin bllokim të institucioneve të Kosovës dhe një qeveri në detyrë pa kompetenca të plota,” sqaroi Arifi, duke përmendur sundimin e ligjit dhe administratën publike si fusha që do të prekeshin drejtpërdrejt.
Ajo theksoi se partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimi Evropian, kanë kërkuar vazhdimisht stabilitet institucional në Kosovë. “Krizat politike nuk do të pasqyronin një Kosovë të mirë në arenën ndërkombëtare,” përfundoi Arifi.
Ky apeli i GLPS-së vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila më 25 mars rrëzoi dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas moszgjedhjes së presidentit në seancën e 5 marsit. Gjykata konstatoi se dekreti i Presidentes nuk kishte efekt juridik, duke i dhënë ligjvënësve 34 ditë kohë, nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi shpërndahet automatikisht (ex constitutione), dhe zgjedhje të reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Presidenca e Kosovës mirëpriti vendimin, duke theksuar se Gjykata konfirmoi se Presidentja Osmani nuk kishte bërë shkelje kushtetuese.
