Infeksionet seksualisht të transmetueshme, përfshirë gonorrenë dhe sifilizin, kanë arritur nivele rekord në Evropë, sipas të dhënave të reja.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tha se të dy sëmundjet kishin arritur nivelet e tyre më të larta në më shumë se 10 vjet në vitin 2024.

Gonorrea arriti në 106,331 raste, një rritje prej 303% që nga viti 2015, ndërsa sifilizi u dyfishua në të njëjtën periudhë në 45,557, shkruan A2CNN.

Agjencia shëndetësore tha se “zgjerimi i boshllëqeve në testim dhe parandalim” ishte pjesërisht shkaku i rritjes së transmetimit dhe bëri thirrje për veprime urgjente.

“Këto infeksione mund të shkaktojnë ndërlikime të rënda, të tilla si dhimbje kronike, infertilitet dhe në rastin e sifilisit, probleme me zemrën ose sistemin nervor”, tha Bruno Ciancio, kreu i njësisë së Sëmundjeve të Transmetueshme Direkt dhe të Parandalueshme nga Vaksina e agjencisë.

Ai tha se rastet e sifilisit kongenital, “ku infeksionet kalojnë direkt tek të porsalindurit, duke çuar në ndërlikime potencialisht të përjetshme”, pothuajse ishin dyfishuar nga viti 2023 në vitin 2024.

“Mbrojtja e shëndetit tuaj seksual mbetet e thjeshtë. Përdorni prezervativë me partnerë të rinj ose të shumtë dhe testohuni nëse keni simptoma”, shtoi ai.