**Grenell mbështet deputetët e LDK-së që kundërshtojnë marrëveshjen Kurti-Abdixhiku: “Janë miq të mëdhenj të Amerikës”**
Ish-i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka komentuar mbi zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës.
Grenell ka shprehur mbështetjen e tij për gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për postin e presidentit. Kjo kandidaturë është pjesë e marrëveshjes së arritur mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtit, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, Grenell vlerësoi posaçërisht deputetët e LDK-së që kundërshtojnë këtë kandidaturë, duke përmendur edhe ish-kryeministrin Avdullah Hoti.
“Miku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të mëdhenj të Amerikës,” ka shkruar Grenell.
Ky reagim vjen në një kohë kur qëndrimet brenda LDK-së, lidhur me marrëveshjen politike dhe kandidaturën presidenciale, kanë shkaktuar diskutime të shumta dhe përçarje.
