**Gruda i kundërpërgjigjet Konjufcës për afatet kushtetuese të Kuvendit**

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili theksoi se vazhdimi i seancës konstituive nuk përbën shkelje kushtetuese.

Gruda ka theksuar se Gjykata Kushtetuese ka për detyrë të interpretojë Kushtetutën, jo aktgjykimet e veta. “Glauk Konjufca, në Gjykatën Kushtetuese shkohet për të interpretuar Kushtetutën, jo për të interpretuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të ishte të kërkoje interpretim mbi interpretimin”, ka shkruar Gruda.

Ai ka argumentuar se, sipas Aktgjykimit KO124/25, Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin. “Gjykata, në Aktgjykimin KO124/25, e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin, e jo vetëm ta fillojë atë, siç po pretendon ti”, ka deklaruar Gruda.

Gruda i është referuar edhe paragrafit 140 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet:
“(…) Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat (…) është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi.”

Në fund, Gruda ka ngritur pyetjen retorike në lidhje me atë se çfarë do të kërkohej nga Gjykata Kushtetuese nëse çështja do të dërgohej sërish për interpretim. “Pra, kjo çështje është interpretuar një herë nga Gjykata Kushtetuese dhe është interpretuar qartë. Çfarë po kërkon të dërgojmë edhe një herë në Gjykatë? Që Gjykata ta interpretojë interpretimin e vet?”, ka përfunduar ai.