Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk po shfaq vullnet për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” të Klan Kosova, Gruda theksoi se partia në pushtet ka neglizhuar afatin fillestar dhe aktualisht nuk po e trajton me seriozitet këtë çështje.

“Edhe ne pajtohemi që Kosova duhet të ketë president,” pohoi Gruda, “por kjo kërkon një proces dhe dialog politik që na çon drejt një shumice parlamentare për të zgjedhur presidentin. Ajo që ka ndodhur deri tash është se nuk ka vullnet nga LVV-ja për të zgjedhur president.”

Ai shtoi se afati i parë, para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, u shfrytëzua keq duke i lënë veprimet për thirrjen e seancës për ditën e fundit. Po ashtu, afati i ri i caktuar nga Gjykata Kushtetuese, sipas Grudës, nuk po shfrytëzohet fare.

“Kryeministri Kurti merret me çdo gjë tjetër, veç me zgjedhjen e presidentit,” theksoi deputeti i PDK-së, duke sugjeruar se interesimi i LVV-së për këtë temë shfaqet vetëm në deklarata të rastit. Gruda vlerësoi se deklarata e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, me gjasë ishte bërë pasi gazetarët e kishin kapur befasisht në korridor, çka dëshmon mungesën e një interesi të vërtetë për çështjen në fjalë.