Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj, Hysni Mehani, ka reaguar ashpër ndaj grumbullimit të djeshëm të qytetarëve dhe bllokimit të rrugëve me traktorë përpara stacionit policor. Kjo ngjarje ndodhi ndërsa kryetari i komunës, Sami Lushtaku, po intervistohej në lidhje me sulmin ndaj Mehanit.
Mehani e krahasoi këtë ngjarje me trazirat e fundit në veri të vendit, duke deklaruar se Lushtaku po përpiqet të imitojë metodat e Milan Radoiçiqit.
“Nëse parmbrëmë prania e njësisë speciale ua kujtonte një të kaluar të errët, çfarë u kujtonte bllokimi i rrugëve dhe i policisë me kamionë, traktorë dhe mjete të tjera? Sami Lushtaku mund t’i imitojë metodat e Radoiçiqit në Drenicë, por Drenica kurrë nuk do të mendojë serbisht. Deri në frymën e fundit”, ka shkruar Mehani në një postim në rrjetin social Facebook.
Hysni Mehani dhe Lëvizja Vetëvendosje akuzojnë Lushtakun si përgjegjës për sulmin ndaj tij, ndërsa ky i fundit ka mohuar vazhdimisht përfshirjen.
