Komuna e Prishtinës, përmes ekipeve të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ka nisur aksionin për largimin e mbetjeve voluminoze nga kryeqyteti.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, në një konferencë shtypi deklaroi se ky aksion po nis zyrtarisht sot dhe se janë identifikuar mbi 72 lokacione me mbetje të tilla.
Retkoceri theksoi se paralelisht me nisjen e grumbullimit të mbetjeve voluminoze, janë finalizuar edhe procedurat ligjore për marrjen e lejes mjedisore komunale. Kjo leje do të mundësojë ngritjen e një qendre tranzitore për mbetjet voluminoze, e cila do të shërbejë si pikë grumbullimi fillestar, prej nga mbetjet do të transportohen drejt deponisë qendrore. Ai shtoi se aksioni po zhvillohet në bashkëpunim të gjerë me kompanitë publike të Komunës së Prishtinës.
Aksioni do të nisë nga lagjet qendrore dhe do të vazhdojë derisa të gjitha mbetjet voluminoze të largohen nga Prishtina. Retkoceri tha se pesë ekipe janë shpërndarë në shumicën e lagjeve dhe synojnë të përfundojnë shumicën e pikave brenda ditës së sotme dhe ditëve në vijim.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mbajnë qytetin të pastër dhe të drejtohen në komunë për ndihmë në trajtimin e mbetjeve voluminoze.
