Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka shprehur emocione të thella pas vendimit të klubit për ta nderuar me një tribunë që do të mbajë emrin e tij dhe me një statujë pranë stadiumit “Etihad”.
Tekniku spanjoll e konsideroi këtë si vlerësimin më të lartë të karrierës së tij, duke theksuar se një nderim i tillë ka një rëndësi të veçantë personale.
“Çfarë mund të them? Ky është vlerësimi më i madh, më shumë se çdo gjë tjetër”, deklaroi Guardiola.
Me një dozë humori, ai shtoi se ndihet krenar që emri i tij do të mbetet pjesë e historisë së klubit edhe për brezat e ardhshëm.
“Në të ardhmen, brezat e rinj do të pyesin: ‘Kush është ky njeri? Kush është ky emër?’ Dhe do t’u thuhet: ‘Ah, ai ishte një djalë, një djalë tullac, që fitoi disa trofe’”, shprehu Guardiola duke buzëqeshur.
Që prej marrjes së drejtimit të Manchester Cityt në vitin 2016, Guardiola ka shënuar një nga periudhat më të suksesshme në historinë e klubit, duke fituar tituj të shumtë si në Angli, ashtu edhe në Evropë. Nën udhëheqjen e tij, City është kthyer në një prej skuadrave më dominuese të futbollit botëror.
Ky vendim, për t’i kushtuar një tribunë dhe një statujë, shihet si një shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të trajnerit spanjoll, i cili tashmë ka siguruar një vend të përhershëm në panteonin e historisë së Manchester Cityt.
