Paris Guri për Vetëvendosjen: Këtë veprim e kanë pasur për spektakël dhe zgjedhje

Paris Guri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar vendimin e qeverisë për ndarjen e 100 eurove për disa kategori të caktuara.

Guri ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, gjatë katër viteve në qeveri, merret me propagandë, fyerje dhe ofendime ndaj figurave politike.

“Këtë [vendim] ata e kanë pasur për spektakël dhe për qëllime elektorale. Gjatë katër vjetëve, ata nuk bëjnë asgjë konkrete, merren me propagandë në Facebook, duke fyer dhe ofenduar kundërshtarët politikë. Dhe pas katër vitesh, thjesht ‘shtypin një tast’ për t’u shpërndarë shtesa qytetarëve,” ka deklaruar Guri.

Ai shtoi se qeveria mendon se inflacioni zbutet nëse qytetarëve u jepet vetëm njëherë shuma prej 100 eurosh. “Ky është fillimisht ofendim ndaj qytetarëve; me këtë veprim, ata po i ofendojnë qytetarët,” ka theksuar Guri, përcjell Gazeta Express.