Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidat për kryeministër, ka theksuar se Kosova po përballet me humbjen e rinisë për shkak të krizave politike, ndërsa qytetarët kërkojnë shpresë dhe ndryshim. Këto deklarata ai i bëri gjatë një vizite në familjen e Fadil Danit në Fushë Kosovë, ku dëgjoi nga afër shqetësimet dhe sfidat e përditshme të banorëve.
Përmes një mesazhi me video të publikuar në rrjetet sociale, kryefamiljari Fadil Dani theksoi se kriza ekonomike, mungesa e perspektivës dhe largimi i të rinjve janë sot ndër problemet më të mëdha që prekin familjet kosovare.
“Kur një i ri mendon më shumë si të ikë nga vendi sesa si ta ndërtojë jetën këtu, atëherë është alarm për të gjithë ne,” tha Dani.
Hamza, nga ana e tij, ritheksoi se Kosova ka nevojë për bashkëpunim më të madh, stabilitet dhe politika që krijojnë shpresë për qytetarët, dhe jo për “konflikte e përçarje politike të pafundme”. Sipas tij, familjet kosovare meritojnë më shumë siguri, zhvillim ekonomik dhe besim në të ardhmen brenda vendit të tyre.
