David Hancko: Kosova, një kundërshtar aspak i lehtë për Sllovakinë
David Hancko, mbrojtësi i Feyenoord Rotterdam dhe futbollisti i vitit në Sllovaki, ka paralajmëruar se Kosova do të jetë një kundërshtar aspak i lehtë për kombëtaren e tij. Këto komente 28-vjeçari i bëri gjatë ceremonisë ku u shpall lojtari më i mirë i vitit në Sllovaki, teksa foli për përballjen e tyre që pritet të zhvillohet më 26 mars.
Hancko theksoi se kishte diskutuar me portierin slloven Jan Oblak, shok skuadre në klub, si dhe me trajnerin e Sllovakisë, Francesco Calzona, të cilët të gjithë bien dakord për vështirësinë e sfidës. Ai veçoi faktin se skuadra e Kosovës, shpesh e referuar si “Dardanët”, ka një vlerë më të lartë në tregun e transferimeve se sa kombëtarja sllovake, duke e konsideruar atë një ekip për t’u marrë seriozisht.
Në prononcimin e tij, Hancko detajoi arsyet për këtë vlerësim: “Trajneri Francesco Calzona na kujtoi gjithashtu se ata (Kosova) janë më të vlefshëm se ne për sa i përket vlerës së tregut të skuadrës së tyre. Ata ishin në një grup me Zvicrën, Slloveninë, Suedinë dhe përfunduan të dytët. Ne folëm shumë për këtë me shokun tim të skuadrës, portierin slloven Jan Oblak. Padyshim që nuk do të jetë një kundërshtar i lehtë dhe na pret një ndeshje e vështirë. Unë tashmë kam një farë përvoje nga ndeshjet vendimtare kur gjithçka luhet në një sfidë të vetme. Ato nuk janë gjithmonë më të bukurat, shpesh gjërat e vogla vendosin. Kemi dy seanca stërvitore kyçe përpara nesh para Kosovës. Besoj se do të përgatitemi sa më mirë të jetë e mundur dhe me ndihmën e tifozëve tanë të shkëlqyer, do ta menaxhojmë.”
Deklarata e Hanckos u raportua nga IndeksOnline.
