Daut Haradinaj kritikon ashpër Kurtin: “25 miliardë euro të shpenzuara, asnjë metër autostradë”
Daut Haradinaj, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit ushtrues detyre, Albin Kurti, duke shprehur kritika për stagnimin e projekteve infrastrukturore në Kosovë.
Haradinaj theksoi se në vend që të bëhej përurimi i autostradës së Gjilanit dhe asaj Klinë-Gjakovë – projekte të nisura prej shtatë vitesh – kryeministri, së bashku me kabinetin e tij, po udhëtojnë në Maqedoni të Veriut për t’u lavdëruar me projekte të iniciuara gjatë periudhës kur BDI ishte në pushtet.
Me kritika të ashpra, Haradinaj citoi: “Kryeministri ushtrues detyre ka harruar detyrën që e ka! Në vend që sot të përurohej autostrada e Gjilanit dhe ajo Klinë-Gjakovë, që kanë nisur prej 7 vitesh, ai me kabinetin e tij shkon në Maqedoni për t’u mburrur me projektet e nisura kur BDI ishte në pushtet.”
Ai i bëri thirrje Kurtit që të përqendrohet në përfundimin e projekteve brenda Kosovës.
“Hajde o zotëri, kryej punët e shtëpisë, sepse e more në qafë këtë vend. Ke premtuar që autostrada e Gjilanit do të përfundojë në vitin 2023,” ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj kritikoi ashpër edhe shpenzimet e Qeverisë, duke pretenduar se janë shpenzuar rreth 25 miliardë euro pa u ndërtuar, sipas tij, “asnjë metër autostradë”.
Me ton ironik, Haradinaj e përfundoi deklaratën e tij duke thënë: “Ajo lopatë me zhavor i kushtoi Kosovës 3 milionë tonë qymyr, dhuratë nga ti.”
