Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale, por gjuhë autoktone e këtij trualli që ka mbijetuar brez pas brezi pavarësisht historisë dhe sfidave, duke theksuar se ajo është e garantuar me Kushtetutë dhe përfaqëson të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për ta përdorur në arsim, komunikim dhe jetën publike pa frikë e pa kompromis.

Ai ka shtuar se studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje, por dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre, duke shprehur mbështetje të plotë për protestën e paralajmëruar dhe duke theksuar se zëri i tyre përfaqëson çdo shqiptar që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë. /Gazeta Express.

Postimi i plotë:

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale. Është gjuhë autoktone, gjuhë e këtij trualli, që nuk kanë mundur ta ndalin as kralat e as sulltanët. Ajo ka mbijetuar brez pas brezi, në familje, në shkolla, në këngë e në sakrifica.

Shqipja është e garantuar me Kushtetutë dhe me të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për të folur shqip në vendin e vet, për të studiuar shqip, për të shkruar, menduar dhe për të marrë frymë shqip pa frikë e pa kompromis.

Studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegje, po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre.

Me zemër, me shpirt dhe me krenari jam me ju nesër, studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Zëri juaj është zëri i çdo shqiptari që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë.

I juaji,

Ramushi