Hasani: Ekspozita për masakrat, version i qëllimshëm i UDB-së, jo gabim. Kërkon përgjegjësi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ish-i burgosur politik, deklaroi se ekspozita me pasaktësi rreth masakrave gjatë luftës në Kosovë nuk ishte thjesht një gabim.

Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, Hasani theksoi se do të zbardhte “një të vërtetë të rëndë”. Ai kërkoi që autorët e ekspozitës të mbajnë përgjegjësi për mashtrimin institucional dhe që organet e drejtësisë të veprojnë sipas ligjit.

“Ajo që u prezantua në këtë ekspozitë (më 24 mars), nuk është vetëm një gabim, por një prezantim i qëllimshëm i versionit të UDB-së së kohës,” u shpreh ai.

Hasani e cilësoi këtë akt si fyerje për viktimat, për të burgosurit politikë, për të mbijetuarit dhe për të vërtetën e masakrës në burgun e Dubravës.

Ndërkohë, organizatat “Admovere” dhe “Integra”, të drejtuara nga Shkëlzen Gashi dhe Kushtrim Koliqi, u kërkuan falje të dielën familjarëve të viktimave civile dhe bënë thirrje për një diskutim të hapur rreth kësaj çështjeje.

Sipas Hasanit, kjo kërkesëfalje është e pamjaftueshme, pasi dëmi politik tashmë është shkaktuar me prezantimin e versionit të UDB-së.

“Kjo ekspozitë ka pasoja të rënda politike për Kosovën, dhe kërkimfalja e Shkëlzenit nuk e riparon dëmin e shkaktuar shtetit tonë dhe të vërtetës së masakrës së Dubravës,” deklaroi ai.

Në fund, ai bëri thirrje për hartimin e një ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës.