**Lushaku-Sadriu denoncon mashtrimin me njehsorët e energjisë: Qytetarët u dëmtuan**
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetja e LDK-së dhe shefja e Grupit Parlamentar, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se qytetarët janë mashtruar lidhur me faturimin e energjisë elektrike.
Ajo theksoi se, sipas hulumtimeve të deputetit të LDK-së, Visar Azemi, është zbuluar se njehsorët në Prishtinë dhe Ferizaj regjistrojnë gabimisht shpenzimin e energjisë.
“Dua ta ngre një temë që është shumë e rëndësishme për çdo familje të Kosovës, një çështje që ka të bëjë me një mashtrim përmes një keqllogaritjeje të shpenzimit të energjisë elektrike. E prek secilin prej nesh. Është një padrejtësi që po bëhet për muaj, apo vite me radhë”, tha Lushaku-Sadriu.
Deputetja shtoi se, pavarësisht thirrjeve të qeverisë drejtuar qytetarëve për kursim dhe shpenzim prej orës 22:00, shumica e njehsorëve nuk e llogarisin saktë shpenzimin e energjisë. “Kjo çon te llogaritja më e madhe dhe faturimi më i shtrenjtë për çdo familje të Kosovës”, u shpreh ajo.
Lushaku-Sadriu, ndër të tjera, drejtoi gishtin nga institucionet dhe kompanitë që ajo i konsideron përgjegjëse për këtë situatë.
