Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet të zhvillojë ditët në vijim një takim të radhës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në përpjekje për të tejkaluar ngërçin politik aktual rreth zgjedhjes së presidentit.
Këtë e bëri të ditur ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas takimit të saj me liderët e subjekteve politike.
Haxhiu u bëri thirrje partive që të ulen dhe të diskutojnë konkretisht për figurën e presidentit, duke propozuar nisjen e diskutimeve me emra konkretë për një kandidat konsensual, i cili nuk duhet të jetë pjesë e ndonjë partie politike.
Ajo theksoi se edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është shprehur e gatshme për një president konsensual. Haxhiu shtoi se Kurti ka bërë të ditur që LVV-ja nuk dëshiron domosdoshmërisht që presidenti të vijë nga radhët e saj.
Sipas Haxhiut, takimet mes partive duhet të vazhdojnë sa më parë. Ndërkaq, Kurti ka konfirmuar një takim të ri me LDK-në.
