**Haxhiu: Kushdo që konteston Kushtetutën, le t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese**

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, është prononcuar para rifillimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke komentuar mbi afatet kushtetuese për konstituimin e tij, mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe mospraninë e partive politike në takimet për zgjedhjen e Presidentit.

Haxhiu theksoi se, sipas vlerësimit të saj, edhe vitin e kaluar Kuvendi nuk ishte konstituuar brenda afatit 30-ditor, duke argumentuar se nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese deri në konstituim kishin kaluar rreth 160 ditë.

“Vititn e kaluar, nga momenti kur Gjykata Kushtetuese mori vendimin që Kuvendi i Republikës së Kosovës duhej të konstituohej brenda 30 ditëve, deri në konstituimin e tij kishin kaluar rreth 160 ditë. Nëse prej kësaj periudhe heqim ditët kur çështjet ishin në trajtim në Gjykatën Kushtetuese, mbeten gjithsej rreth 59 ditë. Pra, as vitin e kaluar seanca nuk u konstituua brenda afatit 30-ditor,” tha Haxhiu.

Ajo theksoi se Presidenti, apo në situatën aktuale ushtruesja e detyrës së Presidentes, ka 30 ditë nga certifikimi i rezultateve për të thirrur seancën konstituive. Haxhiu vlerësoi se deputetëve duhet t’u mundësohet kohë e mjaftueshme për të bërë përpjekje maksimale drejt konstituimit të Kuvendit.

“Nëse flasim për një interpretim të tillë, deputetëve u mbetet vetëm një ditë përpjekje për ta konstituuar Kuvendin. Kjo nuk ka logjikë. Deputetët duhet të kenë mundësinë të bëjnë përpjekje maksimale për konstituimin e Kuvendit,” deklaroi ajo.

Haxhiu lidhi çështjen e konstituimit të Kuvendit edhe me afatin për zgjedhjen e Presidentit, duke sqaruar se pas konstituimit të Kuvendit nis afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e tij.

“Duket se ekziston një përpjekje, të cilën unë nuk e kuptoj, që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, por gabojnë. Kushdo që përpiqet përmes veprimeve të tilla ta çojë vendin në zgjedhje, mendoj se bën një gabim të madh, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë votuar për të kontribuuar drejt marrëveshjeve, jo që të veprojmë në mënyrë të tillë dhe të përpiqemi ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Nuk na duhen zgjedhjet,” u shpreh Haxhiu.

Ajo u bëri thirrje partive politike dhe deputetëve që të marrin pjesë në seancë dhe të angazhohen për një marrëveshje politike, duke theksuar se zgjidhja mund të arrihet vetëm përmes takimeve.

“Prandaj, u bëj thirrje partive politike që të vijnë sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëj thirrje deputetëve dhe liderëve të partive politike të bëjnë përpjekje maksimale për të arritur një marrëveshje, sepse vetëm duke u takuar me njëri-tjetrin mund ta arrijmë atë. Kryeministri Kurti ka bërë përpjekje maksimale, duke ftuar subjektet politike. Nuk e kuptoj pse refuzojnë të vijnë në takime. Megjithatë, qytetarët do t’i vlerësojnë veprimet e secilit prej nesh,” tha Haxhiu.

Në lidhje me kandidatin për kryetar të Kuvendit, në mungesë të një marrëveshjeje politike, Haxhiu tha se propozimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje.

“Lëvizjes Vetëvendosje i takon të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit. Vetëvendosje ka ofruar pozitën e kryetarit të Kuvendit për subjektet opozitare, vetëm e vetëm që të arrijmë një marrëveshje në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme. Prandaj, është e rëndësishme të ketë përpjekje për të arritur marrëveshje, duke shmangur bojkotin, bllokimet dhe akuzat. Pavarësisht dallimeve të mëdha që kemi me subjektet politike, është thelbësore të jemi bashkë për të arritur një marrëveshje, dhe më pas diskutimet dhe dallimet mund t’i vazhdojmë,” deklaroi Haxhiu.

E pyetur nëse seanca aktuale ishte antikushtetuese, pasi gazetarët theksuan se afati për konstituimin e Kuvendit kishte përfunduar në mesnatën e së premtes, Haxhiu tha se çdo subjekt që konteston seancën mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Kushdo që ka probleme me seancën e sotme, e ftoj t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Vitin e kaluar kjo gjë u bë vazhdimisht. Prandaj, edhe sot, nëse nuk pajtohen me thirrjen e kësaj seance, kanë mundësinë ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo Gjykatë e ka konsideruar këtë seancë si çështje kushtetuese, pasi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit,” sqaroi ajo.

Haxhiu shpjegoi edhe arsyen e pjesëmarrjes së saj në seancën e sotme, duke theksuar se ishte ftuar nga kryesuesi i seancës konstituive.

“Unë jam këtu, dhe besoj se edhe të tjerët do të jenë, sepse jam ftuar nga kryesuesi i seancës konstituive. Po të ishim ftuar edhe mbrëmë nga kryesuesi pas mbledhjes së 40 nënshkrimeve, natyrisht që do të vija, sepse jemi të detyruar të marrim pjesë në seancë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Nuk e kuptoj pse nuk i kanë protokolluar nënshkrimet. Përderisa thoshin se ishin tre subjekte politike opozitare bashkë, atëherë pse nuk i protokolluan?” pyeti ajo.

E pyetur nëse kërkesat e deputetëve për mbajtjen e seancës i ishin dorëzuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, Haxhiu u përgjigj: “Jo. 40 nënshkrime nuk i janë dorëzuar zotit Avni Dehari. Nuk e kuptoj pse nuk i kanë dërguar. Nëse ata dëshironin që seanca të mbahej, është kaq e thjeshtë: i dorëzon 40 nënshkrime.”

Lidhur me deklaratën e deputetit Besnik Tahiri se administrata e Kuvendit ishte informuar për kërkesën, Haxhiu bëri dallimin mes njoftimit dhe protokollimit të nënshkrimeve. “Njoftimi, po, njoftimi se do të merrnin pjesë në seancë ka ndodhur, por është i pamjaftueshëm. Duhet të protokollohen 40 nënshkrime. Kjo nuk ka ndodhur dhe unë nuk e kuptoj pse. Sa kohë kanë ardhur këtu dhe kanë dalë në konferenca duke thënë se dyert ishin mbyllur për deputetët, ata mund t’i kishin protokolluar shumë thjesht nënshkrimet. Kryesuesi i seancës do të ishte i detyruar ta thërriste seancën,” deklaroi ajo.