Albulena Haxhiu bën homazhe në Prekaz: Nuk ka 12 Qershor pa sakrificën e Familjes Jashari

Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës, bëri homazhe sot në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kjo vizitë u zhvillua me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, sipas raportimeve të Ekonomia Online.

Gjatë kësaj vizite, Haxhiu nënvizoi rëndësinë e jashtëzakonshme historike të sakrificës sublime të familjes Jashari dhe të luftës për liri.

“Sot, më 12 Qershor, në Ditën e Çlirimit, jemi në Prekaz, aty ku nisi gjithçka. Nuk mund të ketë 12 Qershor pa Marsin e vitit 1998, pa qëndresën heroike të Komandantit Adem Jashari, Hamzës, Shabanit dhe mbi 50 anëtarëve të tjerë të familjes Jashari, të cilët ranë pa u dorëzuar kurrë. Ata nuk mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, por mbrojtën tokën tonë, tokën e të parëve, që ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e shqiptarëve. Ata mbrojtën idenë se populli ynë nuk mposhtet asnjëherë. Sakrifica e tyre u bë themeli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i Republikës sonë të lirë. Prandaj, çdo gëzim i kësaj dite feste fillon pikërisht këtu, pranë këtyre varreve. Liria që gëzojmë sot është amanet nga ata: që Kosovën tonë, si institucione dhe si shoqëri, ta duam dhe ta nderojmë përmes veprimeve që e fuqizojnë çdo ditë. Lavdi Komandantit Adem Jashari, lavdi familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!” përfundoi Haxhiu.