Rusia po ripërdor një teknikë kamuflazhi të Luftës së Parë Botërore, të njohur si “Dazzle”, me motive “zebra”, për të mbrojtur automjetet e saj ushtarake nga dronët vetëvrasës ukrainas të drejtuar nga inteligjenca artificiale (AI).
Kjo teknikë, e zhvilluar fillimisht gjatë Luftës së Parë Botërore, synon t’i bëjë automjetet më të vështira për t’u shënjestruar nga dronët sulmues të Ukrainës.
Në internet janë shfaqur foto të kamionëve ushtarakë rusë Kamaz dhe Ural, të pikturuar me modele të çrregullta bardh e zi, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin real të këtij kamuflazhi.
Qëllimi i “Dazzle” nuk është t’i bëjë automjetet të padukshme për syrin e njeriut, por të çorientojë sistemet automatike të shënjestrimit të dronëve. Kjo teknikë, e zhvilluar nga artisti detar britanik Norman Wilkinson në vitin 1917, synonte të mashtronte kundërshtarët duke e bërë të vështirë përcaktimin e drejtimit, shpejtësisë dhe llojit të objektit, shkruan odditycentral.
Më shumë se një shekull më vonë, Rusia beson se ky kamuflazh mund të jetë ende efektiv. Megjithatë, mbetet për t’u parë në praktikë nëse ai funksionon vërtet, pasi ekspertët ushtarakë shprehen skeptikë mbi efektivitetin e tij kundër dronëve modernë.
Ndërkohë, Ukraina vazhdon të godasë objektivat ruse me dronë, në një luftë që po kthehet gjithnjë e më shumë në një përballje teknologjike mes sistemeve autonome dhe kundërmasave të reja.
