**Kurti nga Prekazi: Epopeja e Jasharëve, themel i historisë sonë kombëtare**

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Këto homazhe u bënë me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

Pas zhvillimit të homazheve, Kurti deklaroi se Prekazi vazhdon të jetë simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri. Ai theksoi se epopeja e familjes Jashari përbën themelin e historisë moderne të Kosovës dhe frymëzimin për idealin e lirisë e shtetësisë.

“Sot, më 12 qershor, ne si krerë të institucioneve vijmë këtu në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes bashkëkohore të popullit shqiptar, i cili shënon edhe vendin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” u shpreh Kurti. “Kjo, pasi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, tre breza të familjes Jashari qëndruan, luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë e popullit tonë, për bashkim, për shtet dhe për pavarësi.”

Kurti shtoi më tej: “Beteja epike e Jasharëve, e udhëhequr nga Baca Shaban me djemtë e tij, Hamzën dhe Ademin, si dhe me bashkëshortet e tyre, Zahiden, Zarifen, Feriden dhe Adilen, së bashku me të gjithë të tjerët që nuk u nënshtruan asnjëherë, qëndron sot në thelb të historisë së popullit tonë. Kjo histori nuk është vetëm ajo e Kosovës si Republikë, por njëkohësisht edhe e kombit shqiptar, në kuptimin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen, dhe në kuptimin e shtrirjes përtej së tashmes – pra, nga e kaluara e lashtë e deri në të ardhmen, kur, siç thotë edhe Himni Kombëtar Shqiptar, ‘ne do të rrojmë’. Prandaj, duke u kthyer vazhdimisht këtu, duke kujtuar dhe përkujtuar flijimin e Jasharëve, ne i qëndrojmë besnikë çlirimit dhe emancipimit, pavarësisë dhe bashkimit, zhvillimit dhe progresit,” përfundoi Kurti.