Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka komentuar zhvillimet e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas incidentit ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Deklaratat e Haxhiut u bënë në një prononcim për portalin “Ekonomia Online”.

Haxhiu theksoi se nuk ka asnjë problem me veprimet politike të deputetëve, duke shtuar se nëse deputetja ka vlerësuar se ky është veprimi i duhur, ajo mund ta vazhdojë. “Nuk kam asnjë problem me veprimet politike të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nëse ajo ka vlerësuar që kjo është forma, atëherë… le të vazhdojë ta bëjë, nuk kam asnjë problem”, citohet të ketë thënë Haxhiu.

Ajo nënvizoi se vlerësimi i këtyre veprimeve i takon Gjykatës Kushtetuese. Haxhiu e vuri theksin te rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje politike për çështjen e presidentit, duke paralajmëruar se mungesa e saj do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. “Vendi nuk duhet të shkojë në asnjë mënyrë në zgjedhje të parakohshme. Është e rëndësishme që të fokusohen të gjitha partitë së bashku, pavarësisht çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi ajo.

Ushtruesja e detyrës së presidentes bëri thirrje për vazhdimin e takimeve mes partive politike, duke theksuar se nuk duhet të ketë refuzime takimesh apo kërkesa që, sipas saj, janë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve dhe fuqinë politike të subjekteve. “Unë mendoj që duhet të vazhdojnë takimet, jo refuzime takimesh dhe as kërkesa në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve apo me fuqinë politike të subjekteve politike. Gjykata Kushtetuese është ajo që interpreton veprimet në seancën e Kuvendit. Kushdo që mendon se kryesuesi i seancës apo kushdo nga ne ka shkelur Kushtetutën, lirisht mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Haxhiu.

Ajo kritikoi gjithashtu kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke i konsideruar ato në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve. “Unë mendoj që kërkesat e LDK-së deri tani kanë qenë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pra, nuk mund të kërkosh diçka që nuk ta ka dhënë qytetari. Dhe kjo situatë ka ndodhur edhe vitin e kaluar, edhe në fillim të këtij viti, po ndodh edhe tani. Duket që vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka reflektuar pas kritikave, por që mesazhin e qytetarëve nuk po e kuptojnë si duhet subjektet e tjera politike”, përfundoi deklaratën ushtruesja e detyrës së presidentes.