Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që në zgjedhjet e nesërme të marrin pjesë në votime dhe të mbështesin “Koalicionin Shqiptar”, me numër 17.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu e vlerësoi ditën e zgjedhjeve si tejet të rëndësishme për Luginën e Preshevës. Ajo theksoi se partitë shqiptare kanë vendosur të garojnë së bashku, me një listë të vetme.

Gjithashtu, ajo u kërkoi shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, por që kanë të drejtë vote në Luginë, të udhëtojnë drejt saj dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Haxhiu nënvizoi se Kosova po i përcjell me vëmendje zhvillimet në Luginë, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit politik të shqiptarëve, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe ngritjen e zërit kundër padrejtësive.

Ajo përfundoi thirrjen e saj me mesazhin: “Nesër, zëri i Luginës dëgjohet përmes fletëvotimit, me votën për numrin 17, ‘Koalicionin Shqiptar’. Luginë, Kosova është me ty!”