Haziri: Përçarja e 31 Janarit po i kushton LDK-së, pasojat u reflektuan edhe në zgjedhjet e Qershorit

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij po i vuan pasojat e Kuvendit të 31 Janarit, ku dështoi mocioni për shkarkimin e Lumir Abdixhikut.

Ai theksoi se përplasja e brendshme që rezultoi nga ky kuvend, u reflektua edhe në rezultatin e zgjedhjeve të 7 Qershorit.

Në një intervistë dhënë për portalin Nacionale, Haziri ka bërë thirrje për unitet partiak.

“Ne po i vuajmë pasojat e 31 Janarit. Ndoshta për herë të parë po e them këtu para jush, sepse nuk e kam thënë askund tjetër, por çdo ditë e më shumë po e shoh sa e vështirë është t’i përballosh këto pasoja. Sepse në fund të fundit, është një mocion ku njerëzit japin vlerësimin dhe shprehin interesimin e tyre,” ka thënë Haziri.

Ai shtoi se ky kuvend pati ndikim të drejtpërdrejtë:

“Kjo na u reflektua edhe në zgjedhje. 31 Janari u reflektua edhe në rezultatin zgjedhor të qershorit. Pas qershorit, demokracia e brendshme u testua sërish deri në kufijtë e saj, dhe ne e kaluam këtë proces. U mbyll, pasi rezultati nuk ndryshoi shumë, mbeti i njëjtë. Por ne jemi në të njëjtin ambient politik,” është shprehur Haziri.