**Brukseli dhe Prishtina reagon ndaj ‘Listës Studentore’ serbe: Detyrimet për marrëveshjet me Kosovën mbeten të pandryshueshme**

Bashkimi Evropian (BE) dhe Prishtina kanë reaguar ndaj paralajmërimeve të ‘Listës Studentore’, fitueses së zgjedhjeve në Serbi, se do të rishikojë marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit. Brukseli thekson se detyrimet e marra nga palët mbeten të pandryshueshme, ndërsa Prishtina mban qëndrimin se normalizimi i marrëdhënieve fillon me njohjen e realitetit.

Partia e sapoardhur në pushtet në Serbi, ‘Lista Studentore’, e cila fitoi zgjedhjet duke mundur Partinë Përparimtare Serbe, ka shprehur qëndrime të ashpra kundër pavarësisë së Kosovës. Në programin e saj, ajo zotohet se do të kundërshtojë pavarësinë e saj dhe do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, ‘Lista Studentore’ ka paralajmëruar ndjekje penale për zyrtarët e mëparshëm të përfshirë në lidhjen dhe zbatimin e “marrëveshjeve antikushtetuese në dëm të Serbisë”.

Këto qëndrime bien ndesh me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Serbia e pranoi në vitin 2023. Sipas saj, Serbia u zotua se nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Marrëveshja parashikon respektimin e integritetit territorial dhe njohjen e simboleve kombëtare mes palëve.

BE-ja, ndërmjetësuese në dialogun Prishtinë-Beograd, ka theksuar se ndryshimi i qeverisë në Serbi nuk i anulon detyrimet e marra. Një zëdhënës i BE-së deklaroi se “rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk i ndryshojnë bazat e dialogut dhe as detyrimet e marra përsipër nga palët”. Brukseli pret angazhim konstruktiv dhe përmbushje të zotimeve nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Beogradi ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndonëse që nga viti 2011, janë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, si liria e lëvizjes, telekomunikacioni dhe njohja e diplomave.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës theksoi se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë arrihet vetëm nëse në qendër të procesit qëndron njohja e ndërsjellë. Sipas MPJD-së, qëndrimi i ‘Listës Studentore’ me “ambicie territoriale” ndaj Kosovës është “jobindës” dhe mund të thellojë ndasitë, duke penguar synimet e dialogut për kapërcimin e tyre.

Lidhur me mundësinë e anulimit të marrëveshjeve, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, Vlladan Petrov, ka deklaruar se është “pothuajse e pamundur” të rikthehet gjendja para zbatimit të tyre. Ai rikujtoi vendimin e vitit 2014, ku Gjykata Kushtetuese e cilësoi Marrëveshjen e Parë të Brukselit si politike, jo si traktat ndërkombëtar, duke hedhur poshtë kërkesat për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së saj.

Profesor Bogolub Millosavleviq shprehet se nuk është e qartë se si do t’i rishqyrtojë ‘Lista Studentore’ marrëveshjet dhe çfarë synon të arrijë. Nga ana tjetër, Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, e interpreton paralajmërimin si thirrje për partneritet me BE-në, duke sugjeruar një pauzë në dialog për të ndërtuar baza të reja.

Analisti politik Artan Muhaxhiri e cilëson qëndrimin e ‘Listës Studentore’ si “narrativë populiste”, e cila është në kundërshtim me ambicet e Serbisë për integrim evropian. Ai thekson se suksesi i qasjes së tyre progresive varet nga realizmi, ndërsa marrëdhëniet me Kosovën duhet të jenë prioritet. Muhaxhiri beson se kjo retorikë është e lidhur me zgjedhjet presidenciale të ardhshme në Serbi dhe paralajmëron se dialogu nuk mund të vazhdojë pa një ndryshim të qasjes së partisë ndaj Kosovës.