Investimet në energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore janë vlerësuar si mundësi për uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së agrobizneseve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesit e sektorit bankar, organizatave që mbështesin tranzicionin e gjelbër dhe arsimit profesional kanë theksuar rëndësinë e përgatitjes së bizneseve për këtë proces, duke vënë në pah nevojën për projekte të strukturuara, financim dhe investime në teknologji e ekspertizë.
Alban Avdiu, udhëheqës rajonal për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme në Bankën për Biznes (BPB), ka thënë se financimi për investime të gjelbra është bërë më i qasshëm, por sfidë mbetet përgatitja e projekteve që dëshmojnë se investimi mund të jetë i qëndrueshëm dhe fitimprurës.
“Ka pasur një progres të jashtëzakonshëm si rritje dhe shërbime në të gjitha aspektet. Për shkak të tarifave, sfidat kryesore nganjëherë ndërlidhen me jo veç me mundësinë për financim. Po edhe me atë projektet të cilat duhet me qenë strukturume edhe me pasur edhe tamam atë konsulencën e përgjithshme që ka mundësi për me u kthy investimi. Sot kryesisht bankat janë përkrahëse duke falënderuar edhe institucioneve shtetërore, institucioneve të huaja dhe kreditimi është shumë më i lehtë në aspektin kur kemi kredi të cilat lidhen me kredi të gjelbërta”, tha ai.
Avdiu ka theksuar se një tjetër sfidë është perceptimi i bizneseve, të cilat investimet në pajisje solare dhe teknologji të tjera që sjellin përfitime afatgjata shpesh i shohin si shpenzim dhe jo si investim. Ai ka paralajmëruar edhe rëndësinë e përgatitjes për tarifat që lidhen me emetimin e karbonit.
“Një ndër sfidat është projekti konkret edhe ndoshta edhe ajo edukimi jonë i bizneseve që ndërlidhet me të kaluarën që investimin në pajisjet që janë që sjellin, domethënë, benefite ose pajisje solare ose pajisje tjera e shohin si shpenzim, jo si investim. Kjo ndërlidhet ndoshta edhe me edukimin edhe me këshillimin që edhe neve duam si banka, me institucionet tjera shtetërore, me edukim në këtë aspekt. Po mendoj që edhe te kjo vetëdije që kalojmë për arsye se ndoshta me të drejtë ose pa të drejtë e shohim si shpenzim. Po tash po shohim çdo vit që po bëhet edhe më e rëndësishme kjo fushë, tash prej vitit të tashëm edhe do të ketë edhe tarifa tjera që do të ketë në emetim të karbonit që do të jetë taksa 2.5% për eksportin edhe kështu që e ardhmja sa më herët që fillojmë të përgatitemi edhe me biznese do të jetë më e lehtë edhe për eksport edhe për konkurrueshmërinë e bizneseve që të jenë të kalojnë më lehtë këtë sfidë”, tha ai.
Ndërkaq, Fiona Bakija nga Balkan Green Foundation ka vlerësuar se Kosova ka potencial që tranzicionin e gjelbër ta shndërrojë në mundësi për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, veçanërisht në sektorin agro-ushqimor.
“Kosova si shtet ka potencial për me e pa tranzicionin e drejtë ose tranzicionin e gjelbër si mundësi për me rrit produktivitetin edhe konkurrueshmërinë, sidomos në sektorë të veçantë, qysh është sektori i agro-ushqimor. E jo vetëm si një barrë e cila kërkon vetëm investime shtesë. Bujqësia si sektor ka rëndësi të madhe për ekonominë e vendit, për prodhimin vendor, por gjithsesi edhe për sigurinë ushqimore si term i sigurisë kombëtare. Bujqësia në anën tjetër ka edhe sfidat që veç i përmendëm paraprakisht, që lidhen me koston e prodhimit, përpunimin, ruajtjen e ujitjes, por edhe konkurrueshmërinë edhe konkurrencën që vjen prej importit në Kosovë”, tha ajo.
Bakija ka prezantuar edhe të dhëna për tregtinë agro-ushqimore, sipas të cilave në vitin 2024 eksportet e këtij sektori në Kosovë ishin rreth 170 milionë euro, ndërsa importet arritën në rreth 1.4 miliardë euro. Sipas saj, ky dallim tregon hapësirën që ka Kosova për rritjen e prodhimit dhe eksporteve.
“Disa prej shifrave të bilancit ekonomik në Kosovë, sidomos në fushën e bujqësisë, na tregojnë që në vitin 2024 eksportet e agro-ushqimore ose të sektorit agro-ushqimor janë vlerësuar në rreth 170 milionë euro, ndërsa importet e sektorit të njëjtë janë vlerësuar në rreth 1.4 miliardë euro. Pra, kemi një hapësirë shumë të mirë, kisha me thënë, edhe pse ndoshta kjo mundet me u pa si negative, por ne gjithsesi jemi vend në zhvillim, edhe këtë hapësirë mundemi me e shfrytëzu, por investimet tutje dhe për rritjen e konkurrueshmërisë tonë në tregjet ndërkombëtare duke i përfshirë ato të Evropës”, tha ajo.
Rita Nitaj nga Solarit Academy ka theksuar se tranzicioni i gjelbër nuk nënkupton vetëm investime në teknologji, por edhe në përgatitjen e njerëzve që dinë të instalojnë, mirëmbajnë dhe shfrytëzojnë sistemet e energjisë së ripërtëritshme.
“Mendoj që tranzicioni i gjelbër nuk ka të bëjë vetëm me investime në teknologji, mirëpo ka të bëjë edhe me investime në njerëz të cilët dinë të projektojnë, të instalojnë, të mirëmbajnë dhe, normalisht, ta shfrytëzojnë atë energji në mënyrën më të mirë të mundshme. Në industrinë e përpunimit të ushqimit, energjia pothuajse përdoret në të gjitha proceset, duke filluar nga përpunimi deri tek transporti, etj. Andaj, çdo proces i realizuar dhe çdo kursim i realizuar në formë të energjisë mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në uljen e kostos së prodhimit”, tha ajo.
Nitaj ka rekomanduar tri fusha ku agrobizneset mund të investojnë: instalimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve solare, rritjen e efiçiencës së energjisë dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore.
“Andaj, si Solarit Academy, si qendra e parë profesionale në Kosovë për instalimin e paneleve solare, ne do të rekomandonim 3 zgjidhje, duke filluar nga e para, që është instalimi dhe mirëmbajtja e sistemeve solare, mendoj që shumë biznese agroushqimore kanë hapësira të mjaftueshme dhe të përshtatshme në çatitë e tyre për të instaluar panele solare. Dhe mendoj që kjo është veçanërisht interesante për ato biznese të cilat operojnë gjatë ditës, kur edhe prodhimi i energjisë solare është më i lartë. Rekomandimi i dytë do të ishte po ashtu edhe investimi në efiçiencë të energjisë. Dhe rekomandimi i tretë do të ishte investimi në kapacitetet njerëzore. Realisht, kjo është tema, domethënë, në planin akademik që ka merremi realisht, domethënë, në ditët e sotme”, tha ajo.
Këto çështje janë diskutuar në panelin “Tranzicioni i Gjelbër dhe Konkurrueshmëria në Agrobiznes – Nga Mundësia te Investimi”, të mbajtur në kuadër të edicionit të gjashtë të Food Sector Forum 2026, organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo).

