Policia shqiptare arreston 25-vjeçarin që tentoi të mashtronte një 54-vjeçar për 1 milion euro, duke u paraqitur si zyrtar
Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një 54-vjeçari. I riu i ishte paraqitur viktimës në platforma online si funksionar publik, me qëllim mashtrimin. Arrestimi i tij, me inicialet A. M., u bë në momentin kur po merrte paratë.
Policia finalizoi operacionin e koduar “Request” menjëherë pas denoncimit të 54-vjeçarit. Ai kishte dyshuar se ishte mashtruar në platforma komunikimi online, ku i ishte kërkuar të jepte 1 milion euro, duke u përdorur identiteti i një funksionari publik. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, ndërhynë dhe arrestuan në flagrancë 25-vjeçarin, banues në Tiranë, pikërisht kur ai po merrte shumën e parave.
Bëhet e ditur se hetimet vijojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, si dhe në raste të tjera me të njëjtin mekanizëm kriminal. Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme lidhur me veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.
