Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për dështimin në menaxhimin e situatës me energjinë elektrike. Duke komentuar miratimin e masave nga Kuvendi mbrëmë vonë, gjatë së cilës u ndërpre edhe energjia, Hoti deklaroi se kjo situatë “tregon se ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve.”
Sipas Hotit, në vend të miratimit të masave për energjinë, do të ishte dashur të aprovohej një kredi garantuese për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për ndërtimin e termocentraleve të reja, ose miratimi i ndonjë projekti me partneritet për të njëjtin qëllim. Ai cilësoi dështimin e qeverisjes gjashtëvjeçare dhe varfërinë e mendimit politik si pasojë e kontratave për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe më pas blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti vend me çmime deri në dhjetëfish më të larta se kostoja e prodhimit të energjisë nga KEK-u.
Hoti theksoi se, sikur të mos ishte anuluar projekti “Kosova e Re”, sot, pas gjashtë vitesh, Kosova do të furnizohej nga ky termocentral me një çmim fiks prej 80 euro për MWh. Gjithashtu, ai shtoi se sikur të mos ishte anuluar projekti i gazit, ai mund të ishte në fazën e finalizimit.
Deputeti parashikoi se problemet me energjinë do të vazhdojnë në vend për të paktën pesë vjet dhe se pasojat do t’i bartin të gjithë qytetarët dhe bizneset. Ai argumentoi se bizneset po bëhen jokonkurruese për shkak të kostove më të larta. Hoti përfundoi duke thënë se kjo klasë politike ka sjellë vetëm mjerim ekonomik dhe politik për Kosovën.
