Valverde, marrëveshje e re afatgjatë me Real Madridin

Real Madridi ka arritur një marrëveshje me mesfushorin Federico Valverde për zgjatjen e kontratës së tij deri në qershor të vitit 2031.

Sipas raportimeve të gazetës spanjolle “Diario AS” dhe gazetarit Jose Felix Diaz, palët kanë rënë dakord dhe zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të ndodhë së shpejti.

Përveç shtyrjes së afatit, mesfushori uruguaian do të përfitojë edhe një rritje page, në shenjë vlerësimi për rëndësinë thelbësore që ka në planet e klubit madrilen.

Valverde konsiderohet një lojtar i pashkëmbyeshëm nga presidenti Florentino Perez dhe drejtuesit e Real Madridit. Edhe trajneri Carlo Ancelotti e sheh atë si një element kyç të skuadrës.

Me këtë marrëveshje, klubi mbretëror siguron për një periudhë të gjatë shërbimet e një prej futbollistëve më të rëndësishëm të ekipit.