Andin Hoti, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës së UÇK-së, si dhe djali i Ukshin Hotit, ka deklaruar se do ta mbështeste “me dy duar” zhbërjen e Gjykatës Speciale. Megjithatë, ai theksoi se një nismë e tillë kërkon edhe votat e shumicës së deputetëve të komunitetit serb në Kuvend.
Hoti, ish-deputet, shprehu dëshirën e tij të madhe për ta votuar zhbërjen e kësaj Gjykate, por paralajmëroi se Kushtetuta e vendit kërkon edhe miratimin e shumicës serbe. Në një prononcim për Euronews Albania, ai vuri në pikëpyetje mundësinë e miratimit të një vendimi të tillë, edhe nëse ai do të varej vetëm nga vullneti i deputetëve. “Unë nuk besoj se, po të ishte në dorën e deputetëve, do të votohej kjo punë”, tha ai.
Deklarata e ministrit Hoti vjen pas një reagimi të fortë dhe emocional ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë. Ai e cilësoi drejtësinë ndërkombëtare si të padrejtë ndaj shqiptarëve, duke theksuar se ajo “shpërblen agresorin dhe dënon viktimën”. Sipas Hotit, vendimi i fundit dhe mënyra se si është trajtuar lufta në Kosovë, janë dëshmi që Gjykata Speciale është ngritur dhe funksionon si një mekanizëm politik.
Hoti ripërsëriti se, në emër të popullit të Kosovës, personat e dënuar nga Gjykata Speciale janë çlirimtarë dhe jo kriminelë. Ai theksoi se drejtësia ndërkombëtare shpesh ka qenë e padrejtë ndaj popullit shqiptar dhe se rasti konkret dëshmon që kjo gjykatë është politike.
Në vijim të deklaratës së tij emocionale, Hoti bëri një krahasim të fortë: “Krejt Serbia deri më sot është dënuar me 61 vite burg për gjenocidin në Kosovë, ndërsa çlirimtarët tanë janë dënuar me 81.” Ai përmendi gjithashtu se ndodhej në laboratorin ku po bëhet përputhja e ADN-së së mbetjeve mortore të 23 personave të zhdukur dhe të masakruar, të gjetura para dy javësh në Zubin Potok.
Hoti u prek personalisht nga vendimi, duke kujtuar procesin gjyqësor të babait të tij, Ukshin Hotit, 32 vite më parë, kur u dënua nga autoritetet serbe për aktivitetin e tij politik për lirinë e Kosovës. Ai shprehu dhimbjen e thellë që sheh tek fytyrat e familjarëve të të dënuarve, një dhimbje që, sipas tij, “vazhdon me dekada dhe me shekuj”.
Ministri theksoi se në Kosovë janë ende 1 560 persona të zhdukur, për fatin e të cilëve Serbia refuzon të komunikojë. Ai kritikoi ashpër Serbinë që e bën Ratko Mladić-in hero dhe Bashkimin Evropian që, sipas tij, “vetëm jep një deklaratë publike, financon, jep rrugë për në Bashkimin Evropian, ndërsa çlirimtarët e Kosovës dënohen.”
